Ekstradohet nga Franca drejt Shqipërisë Behar Bajri. Ai i u arrestua në Francë, në muajin shtator, falë shkëmbimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e tij. 43-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.
Sipas hetimeve, Bajri në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë Gjin Boriçin në vitin 2020. Gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dyshime se Bajri kundrejt ofrimit të shumave monetare funksionarëve të drejtësisë është liruar nga burgu, para kohe.
Bajri është pjesë e grupit kriminal, i cili është goditur nga dosja hetimore e operacionit “Metarfoza”. Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën katër vjet më parë, pas zbërthimit të rrjeteve “Sky” dhe “EnkroChat” nga vendet partnere, të cilat sollën në vendin tonë gjetjet e tyre.
Mes tjerash, Bajri akuzohet si organizator i vrasjes së Gjin Boriçit për llogarit të të zhdukurit Ervis Martinaj, sigurimin e personave për vrasjen e mbetur në tentativë të Kleanthi Musabelliut, për llogari të biznesmenit Pëllumb Gjoka dhe porositës i vrasjeve që nuk u kryen asnjëherë të Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Ibrahim Licit.
Të gjitha këto skenare, Behar Bajri i organizoi e planifikoi pas daljes nga burgu me masë të lehtësuar arresti, të firmosur nga prokurori Xhevahir Lita. Ky i fundit është pas hekurave pasi dyshohet se mori një shumë prej 30 mijë euro, për “nderin” e kryer.