Deputeti socialist, Arben Pëllumbi, gjatë intervistës për “Real Story” me gazetarin Sokol Balla përmendi disa nga projektet infrastrukturore me të cilat po punohet. Ai theksoi se një pjesë e tyre, rrugore dhe hekurudhore po financohen me fondet e BE, veçanërisht ato projekte hekurudhore.
“Në këndvështrimin tim, është vazhdimi i ndërtimit të rrugës së Arbrit, ndërtimi i rrugës Milot Morinë, që të përfundojë autostrada në të gjithë segmentin e saj, rruga Orikum-Dukat, tuneli i Llogarasë, fillimi i punës për portin e ri në Porto Romano, hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas, dhe po ndryshon shumë edhe koncepti i qeverisë dhe pozicioni që sot Shqipëria ka në raport me BE-në për rrjetet rrugore apo hekurudhore sepse rrjetet janë përfshirë në ato evropiane. Sot jemi mundësi të kërkojmë fonde për ndërtimin e këtyre rrjeteve, sidomos hekurudhore. Po ndërtohet Tiranë-Durrës-Rinas, do të vazhdojë ajo që është Vorë-Mali i Zi, dhe hekurudha në drejtim të Maqedonisë së Veriut dhe që mund të marrin financime nga BE. Sa i përket hekurudhës me interes kombëtar midis portit të Durrësit dhe Prishtinës nuk është një projekt që ka gjetur mbështetje nga BE me fonde. Do të shkojë përpara nga dy qeveritë. Zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë. Në krahun e Maqedonisë së Veriut puna ka filluar dhe jemi në pjesën se ku duhet një dakordësi se ku duhet të kalojë kjo rrugë në vendet ku bashkohet sepse nuk bashkohet dot ku është sot tuneli i Qafë Thanës se ka një disnivel të madh. Aeroporti i Vlorës është duke u përfunduar, jemi duke parë mundësinë e ndërtimit të aeroportit tjetër në jug, në Sarandë.”, u shpreh deputeti.
Ndërkohë, deputetja demokrate Oriola Pampuri përmendi rastin e rrugës së Arbrit, për të cilën tha se megjithëse e nisi PD, qeveria socialiste ka shumë vite që nuk e ka përfunduar. Ajo u ndal edhe turizmi i suksesshëm këtë vit, duke thënë se nuk është meritë e qeverisë ndërsa përmendi disa problematika.
“E vetmja rrugë që shikohen fadromat duke punuar është ajo e tunelit të Llogarasë. Kemi rrugën e Arbërit, që në kaq vite, vërtetë e nisi PD, dhe në 10 vite nuk arritët dot ta përfundonit. Sa i përket turizmit, dua të bëj një pyetje retorike. Çfarë ka bërë PS për turizmin? Thjesht kanë ardhur turistë, ka patur një numër të lartë nuk do ta mohoj, por të pyesje hotelet dhe pronarët, ata të cilët përballeshin me sfidat kishin mangësi në punonjës sepse një pjesë e mirë e tyre është larguar. Pjesën e turizmit e përdorni, por nuk është vlerë për ju.”, tha Pampuri./abcnews.al