Ruan traditën e punimeve në qeramikë, Vasillaq Kolevica ushtron zanatin prej gati 50 vitesh

schedule20:24 - 11 Nëntor, 2023

schedule 20:24 - 11 Nëntor, 2023

I lindur dhe i rritur në një familje artistësh, me babanë piktor dhe nënën pianiste, ëndrra e vetme e Vasillaq Kolevicës ka qenë vetëm një; të bëhej piktor.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, nëse lindesh në një ambient artistësh, nuk ka si të ndodhë ndryshe, të bëhesh artist, të bën vetë rruga atje”.

Sapo përfundoi klasën e tetë, me një duzinë vizatimesh dhe grafikash shkon për të konkuruar në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Fillimisht iu tha se kishte fituar, por kur mbërriti lista emërore në Korçë, emri tij ishte fshirë dhe për studime shkoi diku tjetër.

Vasit, siç e njohin të gjithë, ëndrrat iu kthyen përmbys. Fillimisht me burgosjen e të atit, madje jo njëherë, por dy dhe më pas të nënës, ia prenë përfundimisht rrugën e arsimimit artistik.

“E arrestuan në shtëpi, me pizhame e kanë marrë. Doli dy herë, nga 3-4 vjet, të dyja herët e njëjta gjë, akuza ishte qesharake. Atje thuhej bashkëpunim me titistët jugosllavë për të rrëzuar sistemin komunist, tentativë arratisje, armëmbajtje pa leje. Kur isha në moshën 6-vjeçare, arrestuan mamanë”.

Në moshë të vogël fillon të punojë. Duke parë prirjet e të birit, i ati ndërmjetëson që i biri të punojë me mjeshtrat e kohës të punimit të baltës dhe qeramikës.

Këtu fillon një rrugëtim i ri për Vasin, që me kalimin e viteve, ai nuk e pa punën me baltën dhe qeramikën jo vetëm si një profesion, por dhe si art.

“Mirëpo, babai ishte largpamës. Më thoshte gjithmonë; nëse do të bëhesh artist, mund të bësh me çfarë do, me baltë, me gurë. Fiillova të bëja ndonjë objekt të vogël, ta bëja artisike. Fati që punoiva me disa mjeshtra,

Vasillaq Kolevica, në rrugën e tij artistike tregon më së miri nëse nuk heq dorë nga ëndrra dhe pasioni, vjen çasti që të gjitha bëhen realitet. Pas vitit 1990, ai hap një galeri arti të qeramikës ndër më të mëdhate në vend, më pas dhe fabrikën e art qeramikës. Kolevica hap disa ekspozita personale të qeramikës, kryesisht me frymëzime nga mitologjia, siç është ajo e fisit Maja apo me mëma e pjellorisë.

Gjurmë të artit të tij ka dhe në skulpturë. Me një bashkëpunim me skulptorin Sadik Spahija u realizua fasada e teatrit Andon Zako Çajupi, si dhe busti i njohur si ” teta Ollga”, i frymëzuar nga roli i Violeta Manushit tek Zonja nga Qyteti, i vendosur në Tushemisht të Pogradecit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!