Deputetja irlandeze në Parlamentit Evropian, Clare Daly, kritikoi Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për faktin se nuk ka bërë thirrje për armëpushim në Gaza, ku bombardimet izraelite kanë vrarë mbi 11 mijë palestinezë.
“Ka një muaj që Izraeli është duke goditur Gazën në rrënoja dhe duke mbushur rrugët me gjak fëmijësh”, shkroi Clare Daly në rrjetin social X, duke cituar një postim nga Von der Leyen.
“Me armë evropiane dhe amerikane, dhe mbështetje evropiane dhe amerikane. Akoma Von der Leyen nuk mund të thotë as fjalën: ‘armëpushim’. Ky nuk është vetëm gjenocidi i Izraelit, por edhe i Evropës”, theksoi Daly.
Ajo gjithashtu postoi një video të fjalimit të saj në seancën e parlamentit të mërkurën, ku ajo kritikoi “shtetin e aparteidit të Izraelit” për kryerjen e “gjenocidit”, lënien e Gazës në uri, bombardimin e spitaleve, ambulancave, gazetarëve dhe rrugëve humanitare.
“10 mijë të vdekur. Një në 200 banorë të Gazës të vrarë. Një fëmijë palestinez masakrohet çdo 10 minuta për një muaj, dhe përgjigja e zonjës Von der Leyen për këtë varrezë fëmijësh është t’i thotë Izraelit të shmangë civilët”, tha Daly, duke shtuar:
“Madje nuk mund të bëni thirrje që kjo të ndalet. Nuk mund të kërkoni as armëpushim. Epo, sigurisht që nuk mundeni. Sepse këto krime kundër njerëzimit po kryhen me armët tuaja, në emrin tuaj. Pra, mos ejani këtu duke u përpjekur të fshini gjakun me shqetësim të vonuar. Nuk është vetëm gjenocidi i Izraelit. Është i juaji dhe Haga nuk është mjaftueshëm e mirë për ju”.
Izraeli ka vazhduar me sulmet e tij të pandërprera ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, duke përfshirë spitalet, rezidencat dhe vendet e adhurimit, që nga sulmi ndërkufitar i grupit të rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.
Të paktën 11.078 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 4.506 fëmijë dhe 3.027 gra.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.
Gjithsej 65 kamionë, që transportonin ushqime, ilaçe, furnizime shëndetësore, ujë, batanije dhe produkte higjienike, si dhe shtatë autoambulanca, kaluan nga Egjipti në Gaza, duke çuar numrin e kamionëve që kanë hyrë në Gaza që nga 21 tetori në 821.
Para fillimit të armiqësive, mesatarisht 500 kamionë hynin në Gaza çdo ditë pune.