Daja i lumtur pas barazimit: Gjithçka shkoi sipas planit, do të luajmë deri në fund për kualifikimin

schedule22:00 - 9 Nëntor, 2023

schedule 22:00 - 9 Nëntor, 2023

Premtuan një rezultat pozitiv në transfertën e Astana dhe ashtu ndodhi. Pavarësisht se nuk arritën të siguronin 3 pikët e plotë, Ballkani i Ilir Dajës arriti të sigurojë barazimin 0 me 0, në transfertën e Astana, me “Dardanët” që sigurojnë kështu 1 pikë tejet të vlefshme për kualifikimin në raundin e mëtejshëm të kompeticionit.

Pas ndeshjes tejet i lumtur për këtë rezultat u duk të ishte edhe tekniku Ilir Daja, i cili u shpreh se gjithçka shkoi sipas planit, teksa më tej shtoi se do t’i luajnë deri në fund shanset për të kaluar grupin e Conference League.

“Besoj se meritonim më shumë sepse kemi kontrolluar më shumë topin, në përqindjen më të madhe e kemi diktuar lojën. Kemi patur shanset tona, kemi bërë një lojë shumë të mirë, sepse ndryshimi i orarit, gati 5 orë me Kosovën, është i ndjeshëm.

Bëmë një lojë akoma më të mirë se në Prishtinë, edhe pse kishim përballë një ekip të fortë fizikisht dhe taktikisht. Jam i kënaqur edhe me barazimin, edhe pse fitorja do të ishte edhe rezultat më i mire.

Ndeshja shkoi sipas planit. Në mbrojtje kemi luajtur shumë mire, por në 20 metrat e fundit mund të kishim bërë zgjidhje më të mira.

Kemi barazuar rekordin tonë të pikëve nga edicioni i kaluar. Jemi mirë dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Do t’i luajmë deri në fund shanset tona për të kaluar grupin.

Nuk kemi patur objektiv kalimin e grupit, por kjo pritshmëri është rritur pas fitores me Dinamon. Ne do të vazhdojmë të japim kontributin për ta prezantuar më së miri futbollin e kampionatit të Kosovës”, u shpreh Daja. /i.m /abcnews.al