Vetëm pak ditë më parë, në konferencën për shtyp, në prag të sfidës së grupeve të UEFA Champions League, ndaj Feyenoord, tekniku i Lazio-s, Maurizio Sarri u shpreh se sfida e Roma-s ndaj çekëve të Slavia Prague do të jetë si një miqësore në krahasim me atë çka i pret “verdhekuqtë”, në derbin e së dielës, ndaj rivalëve të përjetshëm të qytetit.
Këtë të enjte ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e teknikut, Jose Mourinho, i cili përveç se bëri një krahasim të thjeshtë mes tij dhe teknikut italian, përsa i përket numrit të trofeve, shtoi se fjalët e Sarri-t, në të vërtetë ishin një ofendim për skuadrën çeke e jo për “gladiatorët” e tij.
“Nëse dikush duhet të ndihet i ofenduar nga deklaratat e tij është populli i Slavia-s. Unë gjithmonë i respektoj kundërshtarët e mi, Slavia është një skuadër e shkëlqyer dhe ajo që bën diferencën është mënyra e të menduarit për ndeshjet.
Ndoshta dallimi mes një trajneri që ka fituar 26 trofe kundrejt atij që ka fituar vetëm disa është pikërisht ky mentalitet. Dëshiroj të dëgjoj reagimin e Europa League për deklaratat e tij, ishte një kritikë e drejtpërdrejtë dhe objektive, ndaj do të pres”,- u shpreh tekniku portugez, duke i shtuar edhe më shumë benzinë zjarrit. /i.m /abcnews.al