Ka përfunduar pa asnjë deklaratë të përbashkët takimi i sekretarit amerikan të shtetit Anthony Blinken me homologun e tij turk Hakan Fidan në Ministrinë e Jashtme turke në Ankara.
Tema kryesore e takimit, i cili zgjati rreth dy orë e 40 minuta, ishin zhvillimet në Gaza. Menjëherë pas takimit, Antony Blinken u largua nga Ministria e Jashtme turke dhe do të niset menjëherë për në Tokio.
Ftohtësia në marrëdhëniet SHBA-Turqi është evidente pas deklaratave të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se Hamasi nuk është organizatë terroriste dhe akuzave që ai hodhi kundër Shteteve të Bashkuara për praninë e saj ushtarake në rajon dhe mbështetjen e saj ndaj Izraelit.
Për palën turke, mbështetja amerikane për “Forcat Demokratike të Sirisë”, e cila përbëhet kryesisht nga milicitë kurde është gjithashtu një pikë fërkimi.
Anthony Blinken u prit në aeroportin e Ankarasë, nga nënkryetari i Ankarasë Namik Kemal Nazli dhe drejtori i Ministrisë së Punëve të Jashtme, përgjegjës për marrëdhëniet dypalëshe politike, Ambasadori Yaprak Balkan, dhe jo nga Erdogan, i cili shmangu takimin me të.
/abcnews.al