Shefi i CIA-s, William Burns zbarkoi në Izrael ndërsa lufta në Gaza intensifikohet. Ai pritet të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, shefin e Mossad-it, David Barnea dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mbrojtjes dhe inteligjencës, thanë zyrtarët izraelitë.
Burns pritet të vizitojë gjithashtu Katarin, i cili luan një rol kyç në bisedimet për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi, dhe Egjiptin, i cili luan një rol qendror në përpjekjet për të dërguar ndihma humanitare në Gaza. Ai pritet të vizitojë edhe Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Burns do të takohet me disa nga homologët e tij të inteligjencës dhe liderët në Lindjen e Mesme për të “diskutuar çështje me shqetësim të ndërsjellë duke përfshirë situatën në Gaza, mbështetjen për negociatat e pengjeve dhe angazhimin e SHBA për të vazhduar pengimin e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë nga zgjerimi i konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit”./abcnews.al