Gunes: Lojtarët i putha në ballë, moment i vështirë për Turqinë

schedule08:50 - 12 Tetor, 2019

schedule 08:50 - 12 Tetor, 2019

Senol Gunes ndihet i lumtur për fitoren me Shqipërinë. Turqia fitoi finalen me skuadrën e Edi Rejës dhe është me një këmbë në Euro 2020. Trajneri turk ka analizuar duelin kundër Shqipërisë dhe nuk i kursen elozhet për kuqezinjtë.

Ai ndalet edhe te gjendja e vështirë e shtetit turk, ndërsa nuk e kursen një “urim” për armiqtë. Të flasësh dhe të luash futboll në një situatë të tillë nuk është aspak e lehtë, por Gunes dhe djemtë e tij, të ndihmuar edhe nga fati, ia dolën t’i dhurojnë emocione tifozëve turq.

TRIUMFI – “Ka qenë një periudhë e vështirë për shtetin tonë dhe zhvilluam një ndeshje stresuese. I uroj të gjithë tifozët, ndërsa lojtarët i putha në ballë. Po kalojmë një moment jashtëzakonisht të vështirë. Ishte një përballje stresuese dhe shumë e vështirë, kështu që nuk dua të bëj shumë analiza për takimin.”

SITUATA E VËSHTIRË – “Ne kemi dëshmorë. Allahu i mëshiroftë ata që shkaktuan dëshmorët tanë. Ndërsa ndajmë me njëri-tjetrin këtë dhimbje, do të doja që edhe ata ta provonin diçka të tillë. Ka njerëz që ushqehen me këtë situatë. Vendi ynë lufton prej vitesh me terrorizmin. Është e vështirë të flasësh për futboll në një ditë si kjo. Jemi gati të jetojmë në harmoni me të gjithë në vendin tonë, pa dallim rrace, gjuhe apo feje. Ata që rrisin terroristë, shpresoj që të mbyten në gjakun e tyre.”

OBJEKTIVI – “Ndeshja me Francën do të jetë e rehatshme. Futbollistët tanë duan të kualifikohen sa më shpejt. Pritshmëritë janë të mëdha. E cilësuam finale ndeshjen me Shqipërinë dhe duam të shkojmë sa më shpejt të jetë e mundur në Evropian.”

SHQIPËRIA – “Shqipëria u tregua më kompakte sesa në ndeshjen e parë. Ata janë të fortë fizikisht dhe me një fitore kishin shanse për t’u kualifikuar. Humbëm shumë topa gjatë sulmeve tona. Ishte e rëndësishme të fitonim dhe ia dolëm, por e pranoj se ishte një ndeshje shumë e egër. Ata janë një ekip efikas përpara dhe të godasin me topin e gjatë.” /abcnews.al