Pse mësuesit në Korenë e Jugut kanë frikë nga nxënësit dhe prindërit e tyre?

schedule10:55 - 4 Nëntor, 2023

schedule 10:55 - 4 Nëntor, 2023

Mësuesja Kang Hyeon-joo në Korenë e Jugut, rrëfeu një moment të tmerrshëm kur ndodhi një sherr në shkollë. Ajo tha se zemra e saj po rrihte aq shpejt sa nuk mund të merrte frymë dhe shikimi i saj ishte i paqartë.

“Ata po goditnin me grushte dhe shkelma, hidhnin karrige dhe tavolina përreth”, kujton ajo, duke shtuar se është plagosur duke tentuar të ndërhyjë.

Për dy vjet, Kang luftoi për të disiplinuar studentët e saj dhe për të menaxhuar reagimin e prindërve të tyre. Ajo shpjegon se menaxheri i saj nuk bëri asgjë për ta ndihmuar dhe thjesht i thoshte të bënte një javë pushim.

Presioni intensiv që mori pati një çmim të rrezikshëm. Kang tha se ajo filloi të ndjente dëshirën për të dalë para një autobusi. “Po të më godiste një autobus, do të ndjeja pak lehtësim. Nëse thjesht do të hidhesha nga një ndërtesë e lartë, kjo të paktën do të më jepte pak qetësi,” rrëfen ajo.

Kang aktualisht është në pushim mjekësor, por nuk është e vetmja që ka pasur përvoja të tilla. Dhjetëra mijëra mësues kanë protestuar muajt e fundit duke kërkuar më shumë mbrojtje nga nxënësit dhe prindërit. Demonstrata e tyre muajin e kaluar në Seul tërhoqi 200,000 njerëz, duke e detyruar qeverinë të ndërmarrë veprime.

Katalizatorët

Qëndrimi i bashkuar nga stafi mësimdhënës i vendit erdhi pas vetëvrasjes së një mësueseje të re në korrik, e cila u gjet e vdekur në klasën e saj në Seul. Policia, duke hetuar rastin e saj, foli për presione të forta nga një nxënëse dhe prindër, por pa bërë të ditur shkaqet e vetëvrasjes së saj.

Megjithatë, një numër mësuesish kanë marrë jetën e tyre që nga korriku, disa raste raportohet se lidhen me stresin në shkollë, sipas familjeve të viktimave.

Shifrat e qeverisë “tregojnë” se 100 mësues të shkollave publike kanë kryer vetëvrasje midis janarit 2018 dhe qershorit 2023, 11 prej tyre në gjashtë muajt e parë të këtij viti, por nuk specifikohet se cilët faktorë kontribuan në vdekjen e tyre.

Frika nga prindërit

Sung Youl-kwan, një profesor i Arsimit në Universitetin Kyung Hee, tha se shkalla e protestave befasoi shumë. “Unë mendoj se kishte një sens të përbashkët se kjo mund të më ndodhte mua,” tha ai.

Mësuesit përmendin një ligj të vitit 2014 për abuzimin e fëmijëve, i synuar për të mbrojtur fëmijët, si një nga arsyet kryesore që ata hezitojnë të disiplinojnë studentët. Ata thonë se kanë frikë se një përqindje e vogël e prindërve do t’i padisin për shkak të shqetësimit emocional të fëmijës së tyre dhe do t’i çojnë në gjykatë.

“Nuk mund të bënim asgjë. Nëse i disiplinomin fëmijët, ekzistonte mundësia që të akuzoheshim”, tha Ahn Ji-hye, një mësues i shkollës fillore që mori pjesë në organizimin e protestave të mësuesve.

Ahn tha se prindërit e kanë telefonuar, disa ditë nga ora 6 e mëngjesit deri në 23:00, duke dashur të flasin për fëmijën e tyre ose të ankohen.

A është kjo zgjidhja?

Ministri i Arsimit të Koresë së Jugut, Lee Ju-ho fillimisht paralajmëroi mësuesit se një grevë masive do të ishte e paligjshme. Ky pozicion u ndryshua shpejt dhe një sërë rishikimesh ligjore u miratuan më 21 shtator, me një projektligj të shpejtë.

Një nga ndryshimet kryesore është t’u jepet mësuesve njëfarë mbrojtjeje kundër padive për abuzimin e fëmijëve nëse ndërhyrja e tyre konsiderohet një aktivitet edukativ legjitim. Gjithashtu, përgjegjësia për trajtimin e ankesave të shkollës dhe padive nga prindërit tani i takon drejtorit. “Deri tani drejtori i shkollës ka tentuar t’ia kalojë këto përgjegjësi mësuesve,” argumenton profesor Sung.

Ligji i ri do të mbrojë gjithashtu informacionin personal të mësuesve, si numrat e tyre celularë, dhe do t’u kërkojë prindërve të kontaktojnë shkollën, jo mësuesin drejtpërdrejt, nëse kanë shqetësime ose ankesa.

“Nëse nuk mund t’u jepja numrin tim personal të telefonit, ndonjëherë disa prindër vinin në parking për ta parë dhe për ta shënuar nga makina ime, dhe më pas më shkruanin” (f. f. : është e zakonshme që koreano-jugorët të shkruajnë numrin e tyre të telefonit në këndin e poshtëm të xhamit të makinës së tyre), tha ai.

Ahn i quajti ndryshimet si “të rëndësishme”, por këmbëngul se ligje të tilla si ky për mirëqenien e fëmijëve dhe ndëshkimin e abuzimit të fëmijëve duhen gjithashtu të rishikohen. “Është gjithashtu e mundur të raportohen mësuesit vetëm në bazë të dyshimit, sipas këtyre ligjeve”, tha ai. Ai argumenton se, të paktën tani për tani, protestat do të vazhdojnë.

Profesor Sung beson se rishikimet do të ndihmojnë në afat të shkurtër, por paralajmëron se ligji duhet të shihet si një rrjet sigurie, jo një zgjidhje.

Problem ligjor apo kulturor?

Kritikët thonë se shoqëria koreano-jugore i kushton një rëndësi joproporcionale suksesit akademik, kështu që nuk duhet të jetë çudi që prindërit po ushtrojnë kaq shumë presion mbi mësuesit, dhe sistemin më të gjerë arsimor.

Është normë që studentët të ndjekin gjithashtu një shkollë private, të quajtur hagwon, pas asaj publike, jo si një shtesë, por si një kusht bazë dhe i kushtueshëm për të pasur sukses.

Në ditën e provimit pranues kombëtar, i njohur në koreanisht si Suneung, aeroplanët ndalohen dhe orari i udhëtimit rregullohet për të siguruar që studentët që marrin provimin të mos shqetësohen.

“Ne kemi një kulturë ku prindërit zakonisht kanë një fëmijë dhe janë të gatshëm t’i kushtojnë çdo burim financiar dhe mundësi”, përshkruan Sung.

“Ky presion apo obsesion me arsimin, notat e larta dhe performancën e lartë nuk ndërton një ambient të mirë për mësuesit sepse janë nën presionin e prindërve”, shpjegon ai.

Sung thekson se ditët kur respekti për mësuesit merrej si i mirëqenë kanë kaluar prej kohësh, jo vetëm në Korenë e Jugut, por gjetkë, dhe marrëdhëniet mësues-prindër janë të panjohura në krahasim me vetëm një dekadë më parë.

“Në politikat arsimore, prindërit shihen si konsumatorë dhe shkolla dhe mësuesit shihen si ofrues të shërbimeve”, tha ai, duke shtuar se prindërit besojnë se “kanë të drejtë të kërkojnë shumë gjëra nga shkollat”.

Në një vend ku arsimi shihet si çelësi i suksesit, kënaqësia e mësuesve është e ulët. Një studim i Federatës së Mësuesve në prill zbuloi se 26.5% e mësuesve të anketuar thanë se kishin marrë këshillim ose psikoterapi për shkak të punës së tyre. Në vitin e kaluar, rreth 87% thanë se mendonin për të ndryshuar punën ose për t’u larguar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!