“Harrojeni disfatën”, Tuchel “karikon” skuadrën para “klasikes”: Shkojmë në Dortmund për fitore

schedule18:56 - 3 Nëntor, 2023

schedule 18:56 - 3 Nëntor, 2023

Pasi pësuan një eleminim shokues nga skuadra e kategorisë së 3-të të futbollit gjerma, Saarbrucken, këtë të shtunë, “bavarezët” e Bayern Munich do të udhëtojnë drejt “Signal Iduna Park”, për t’u përballur në një “klasike” të vërtetë gjermane, me “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund.

Siç e do zakoni përpara sfidës u zhvillua edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku Thomas Tuchel u shpreh se pavarësisht eleminimit turpërues nuk dorëzohet dhe nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Harrojeni dorëheqjen time, nuk kam arsye për ta bërë atë veprim. Sigurisht që humbja në Saarbrucken na zhgënjeu shumë, sepse kishim si objektiv fitimin e Kupës.

Duhet t’i lëmë mënjanë ndjenjat dhe ta harrojmë këtë disfatë. Por e dimë që do të duhet kohë që të na largohet kjo dhimbje. Gjithsesi, ne po zhvillojmë një kampionat madhështor dhe do të shkojmë në Dortmund për fitore”,- tha tekniku gjerman. /i.m /abcnews.al