Objektivi i Mancinit: Duam fitimin e Evropianit, na mungon prej kohësh

schedule18:33 - 11 Tetor, 2019

schedule 18:33 - 11 Tetor, 2019

Roberto Mancini ka arritur të ndryshojë në një kohë të shkurtër fytyrën e Italisë. Një ndryshim për mirë, çka bën që të kaltrit të luajnë nesër në mbrëmje kualifikimin në Evropian, që është tre pikë larg

Në Olimpico të Romës vjen Greqia dhe djemtë e Mancinit do të tentojnë fitoren e tetë rresht në eliminatoret e Euro 2020. Gjatë konferencës për shtyp, trajneri i kombëtares italiane ndalet te dueli kundër grekëve dhe konfirmon objektivin e madh të ekipit të tij.

RRUGËTIMI – “Kur mora drejtimin e kombëtares, nuk e dija se çfarë do të ndodhte pas 15 muajsh. Gjithsesi, kthesa duhet të ndodhte shpejt dhe me një stil të ri fitues. Grupi gjeti harmoninë menjëherë dhe nuk vuajtëm as kur humbëm me Portugalinë dhe Francën. Gjithmonë kemi ardhur në rritje si ekip.”

GREQIA – “Nuk do ta kemi të lehtë kundër tyre. Kanë ndryshuar trajner, lojtarë dhe modulin e lojës. Të shohim se me çfarë skeme do të luajnë, por kjo nuk ndryshon gjë për ne. Objektivi ynë është i qartë, duam të fitojmë.”

OBJEKTIVI – “Evropiani po afrohet dhe është kompeticioni më i afërt. Objektivi ynë kryesor është fitimi i trofeut. Kemi vetëm një Evropian të fituar 50 vite më parë dhe duam të triumfojmë sërish.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!