Negociatat, ambasadori gjerman: Po bindim skeptikët

schedule18:45 - 11 Tetor, 2019

schedule 18:45 - 11 Tetor, 2019

Ambasadori gjerman në Tiranë ka deklaruar se ka shpresa që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave. Në një intervistë për “Dojçe Vele”, Peter Zingraf theksoi se Berlini zyrtar ka ndërmarrë një fushatë për të bindur skeptikët, në të cilën është përfshirë edhe vetë kancelarja Angela Merkel.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf ka deklaruar se ka shpresë se Gjermania do të arrijë të bindë vendet skeptike të BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Zingraf ka theksuar se për Gjermaninë hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë ka një rëndësi strategjike, ndaj dhe për të bindur skeptikët është angazhuar personalisht kancelarja Angela Merkel.

“Kancelarja Merkel e ka bërë të qartë se është pro dhe se ajo po bisedon me vendet partnere të BE-së. Për shembull ka biseduar me kryeministrin holandez Mark Rutte. Jam gjithashtu në dijeni se po zhvillohen bisedime në nivele të ndryshme, qeveritare dhe partiake. Vendet që janë pro po bisedojnë me partnerët që ende nuk e kanë vendosur qëndrimin e tyre. Le të shpresojmë që argumentet strategjike në fund do të mbizotërojnë”, ka deklaruar Zingraf.

Por diplomati gjerman ka nënvizuar se votimi për hapjen e negociatave është sa strategjik edhe politik, ndaj duhet shpresuar për një vendim pozitiv unanim.

“Vendimi është strategjik dhe politik njëherazi. Shpresojmë që 28 vendet anëtare të BE-së do të bëhen bashkë për një vendim pozitiv. Ka një mazhorancë që është pro hapjes së negociatave, por gjithsesi na duhet unanimitetit. Prandaj na duhet të bindim ҫdo vend anëtar të BE-së”, ka thënë Zingraf.

I pyetur lidhur me kushtet e vendosura nga Gjermania për hapjen e negociatave, mes të cilave spikat ai për reformën zgjedhore, ambasadori ka nënvizuar se ajo duhet të realizohet në bashkëpunim me opozitën dhe përpara zgjedhjeve të ardhshme.

“Ka një element që lidhet me kohën. Ekspertët na kanë thënë që nëse përcaktohet data për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëherë duhet të jetë miratuar ligji për reformën zgjedhore deri në fund të këtij viti, në mënyrë që ligji të zbatohet para se të vijë dita e zgjedhjeve. Ky është një element i rëndësishëm, për të cilin u është bërë thirrje të dyja palëve”, ka shtuar Zingraf./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!