One Albania mbështet për të dytin vit radhazi Javën e Kulturës Hungareze gjatë datave 2-6 nëntor. Nëpërmjet një seri eventesh unike, në disa qytete të Shqipërisë, Javët e Kulturës Hungareze ofrojnë mundësinë për njohur dhe shijuar një program të kuruar me shfaqje, muzikën tradicionale dhe eksperimentale, të shihni ekspozitat artistike të bazuara mbi kulturën Hungareze.
E pranishme në eventin hapës Zëvendës Drejtorja Ekzekutive e One Albania Znj. Irida Bonati shprehu me krenari mbështetjen e One, si pjesë e grupit hungarez 4iG për këtë nismë kulturore si një mundësi për të thelluar lidhjet që bashkojnë njerëzit, krijojnë rrugë të përbashkëta drejt një të ardhmeje të zhvilluar dhe, pa dyshim, drejt progresit teknologjik.
“Është kënaqësi e veçantë për ne One Albania, përfaqësues i një biznesi hungarez në Shqipëri ta mbështesim këtë aktivitet për të dytin vit radhazi. Duke u nisur edhe nga eksperienca e vitit të kaluar i ftojmë të gjithë të marrin pjesë në këto aktivitete sepse janë vërtetë një udhëtim kulturor i një kombi i cili ka qenë gjithmonë mik dhe mbështetës i popullit tonë.”
Javët kulturore hungareze në Shqipëri na ftojnë në një udhëtim të jashtëzakonshëm në zemrën e një kombi dhe kulture e cila, ndonëse nuk është fqinje fizike, qëndron si bashkëudhëtarja që prej themelimit e kombit dhe shtetit shqiptar.
Aktivitetet që nisin më 2 nëntor, me hapjen e ekspozitës së përkthimeve dhe me eventin shah dhe jazz, do të shoqërohen me një sërë ngjarjesh kulturore për publikun e gjerë.
Gjatë edicionit të saj të dytë “Javët Kulturore Ndërkombëtare” (JKN) 2023, një nismë e Ministrisë së Kulturës, sjell në Shqipëri tingujt, imazhet, aromat dhe shijet e 18 vendeve të botës, ndër të tjera edhe Hungarisë.
Adam Lovassy, i ngarkuari me punë i ambasadës hungareze në Tiranë vlerësoi nismën e Ministrisë së Kulturës dhe bashkëpunimin e dy shteteve.
“Sigurisht ne nuk do të kishin asnjë mundësi për ta organizuar edhe njëherë këtë event pa mbështetjen e miqve tanë shqiptarë. Për këtë arsye me lejoni të falenderoj One Albania si dhe ministrinë e kulurës. Ne e vlerësojmë ndihmën tuaj. Shqipëria dhe Hungaria kanë një trashëgimi të përbashkët kulturore. Unë kam folur edhe më parë për miqësinë midis skenderbeut dhe huniadit.”
Përveç Tiranës, Vlora, Pogradeci e Durrësi do të jenë qytetet, ku do të prezantohet një program i përzgjedhur artistik, ndërsa nata e 5 nëntorit do t’i kushtohet artit dhe kuzhinës tradicionale hungareze.
Java e Kulturës Hungareze po kthehet tashmë në një festival tradicional, i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e përvitshme e njohjes dhe shkëmbimit të traditave, artit, kulturës dhe kuzhinave mes kombeve të ndryshme në Shqipëri.