“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”/ SPAK dërgon për gjykim kreun e Bashkisë së Rrogozhinës

schedule15:46 - 2 Nëntor, 2023

schedule 15:46 - 2 Nëntor, 2023

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu Prokuroria e Posaçme njofton se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykim edhe tre të pandehur të tjerë.

Sipas prokurorisë, Memolla ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani, me detyrë elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet lokale të 6 Marsit 2022.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se Memolla komunikon me Xhamanin edhe për punësime në BBashkinë në këmbim të votës. Ndërsa i pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.

Akuzat që rëndojnë ndaj tyre:

– Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal;

– Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal;

– Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal;

– Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal. /abcnews.al