PPE bën thirrje për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

schedule17:03 - 11 Tetor, 2019

schedule 17:03 - 11 Tetor, 2019

Kur mungojnë pak ditë nga vendimi për negociatat e anëtarësimit, kryetari i Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul ka shprehur mbështetjen për nisjen e procesit. Në një letër, Daul ka vlerësuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progrese dhe se Unioni duhet t’u përmbahet zotimeve të bëra për Ballkanin.

Në prag të vendimit për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit, presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul ka shprehur mbështetjen për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Daul ka deklaruar se, politika e zgjerimit ka qenë një ndër politikat më të suksesshme për paqen dhe stabilitetin e kontinentit të vjetër dhe rrjedhimisht duhet të vazhdojë.

“Vendimet që do të merren nga vendet anëtare nuk do të influencojnë vetëm stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, por edhe kontinentin tonë në tërësi. Është koha për të dërguar një sinjal të qartë dhe t’i qëndrojmë angazhimeve të marra për këtë rajon”, ka deklaruar Daul.

Ai ka theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë progrese në të njëjtën linjë me kriteret e kërkuara për nisjen e këtij procesi.

“Edhe pse shumë mbetet për t’u bërë, hapja e negociatave të anëtarësimit është një hap i natyrshëm. Qytetarët, dhe sidomos të rinjtë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, meritojnë perspektivë europiane, e cila mbetet një burim motivimi dhe vendosmërie që këto vende dhe gjithë rajoni të kryejnë reformat”, ka thënë Daul.

Mes reformave më të rëndësishme ai ka cituar sundimin e ligjit, forcimin e gjyqësorit, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e marrdhënieve ndërfqinjësore dhe pavarësinë e medias.

“Vendimi i javës së ardhshme është historik dhe vendimtar për të ardhmen e kontinentit tonë. Rruga drejt anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të jetë e gjatë, por është një rrugë që duhet ta përshkojmë së bashku dhe nuk duhet të humbasim kohë”, ka vijuar Daul.

Ai ka nënvizuar se vendet e Ballkanit janë partnerët më të ngushtë të BE-së, historikisht, gjeografikisht dhe ekonomikisht.

“Bashkimi Europian nuk do të jetë i plotë derisa ky rajon të jetë pjesë e tij”, ka shtuar Daul./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!