Qeveria e re në Mal të Zi/ Kallaba: Zyrtarisht mund të ndryshojë orientimi politik nga Perëndimi drejt Lindjes

schedule17:26 - 1 Nëntor, 2023

schedule 17:26 - 1 Nëntor, 2023

Analisti Ismet Kallaba thotë se me qeverinë e re në Mal të Zi, e cila është pro serbe dhe pro ruse, mund të ndryshojë orentimi politik i vendit, nga Perëndimi në Lindje.

Në një intervistë për ABC News, Kallaba u shpreh se ndryshimi i orientimit politik, ka filluar që në gusht të vitit 2020, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentae, duke iu referuar veprimeve të qeverive apo pjesëve përbërëse të tyre.

Kallaba u shpreh se zgjedhja e Andrija Mandiç si kryetar i Kuvendit ka shkaktuar protesta dhe ky i fundit nuk ka marrë mesazhe urimi nga udhëheqës perëndimorë.

Në lidhje me partitë shqiptare që u bënë pjesë e qeverisë, Kallaba tha se veprimi i tyre ishte i gabuar.

“Unë mendoj që nga zgjedhjet parlamentare, që janë mbajtur 3 vjet më parë, në gusht të vitit 2020, ndonëse jo zyrtarisht, ka ndryshuar kursin e vet politik. Nuk e ka ndryshuar në mënyrë zyrtare, por veprimet, qoftë të qeverisë së Malit të Zi, apo disa përbërësve të qeverisë shkojnë në këtë drejtim. Zgjedhja e kësaj qeverie, vetë fakti që në krye të Kuvendit të Malit të Zi, është zgjedhur një politikan kontravers, i cili njihet për lidhjet e tij  të afërta me Serbinë, me Rusinë dhe me pjesët e tjera që i takojnë kësaj bote, është problematike dhe sigurisht ekziston frika që mund të ndikojë edhe në ndikimin edhe zyrtarisht të kursit politik të Malit të Zi.

Zgjedhja e Mandiçit në kye të Kuvendit në Malin e Zi, sigurisht që ka shkaktuar një reagim, ka pasur protesta, para Kuvendit dhe ai nuk e ka mbështetjen e forcave perëndimore, demokratike. Deri më tani, ai ka marrë përgëzime, telegrame urimi nga disa udhëheqës politikë në Serbi, por nuk ka marrë nga asnjë udhëheqës të njohur perëndimor. Gjë që tregon se ndërkombëtarët kanë qenë kundër zgjedhjes së tij.

Dua të them që hyrja e shqiptarëve në qeverinë e Malit të Zi, duke qenë pjesë edhe partitë pro serbe, që kanë një orientim tjetër drejt Serbisë, Rusisë, apo shteteve të tjera autoritare, është diçka e gabuar. Shqptarët kanë thyer një tabu. Partitë politike shqiptare janë partitë e vetme të pakicave të cilat kanë hyrë në qeverinë e Malit të Zi. Hyrja e shqiptarëve në këtë qeveri, mendoj, më tepër i shërben imazhit të qeverisë para ndërkombëtarëve, ata do të arsyetohen që ne kemi edhe pakicat pjesë përbërëse të pakicave. Fjala tradhti është pak e rëndë dhe nuk është mirë që të përdorim një epitet të tillë, por mendoj që shqiptarët kanë hyrë në një eksperiment dhe lojë politike pa krye që nuk i dihet fundit dhe se ku do të përfundojë”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!