FBI: Sulmi i Hamasit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist që nga ISIS

schedule21:59 - 31 Tetor, 2023

schedule 21:59 - 31 Tetor, 2023

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit do të frymëzojë kërcënimin më të madh terrorist kundër Shteteve të Bashkuara që nga formimi i Shtetit Islamik gati një dekadë më parë, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray, në një seancë dëgjimore në Kongres të martën, raporton Reuters.

Ai u shpreh se që nga fillimi i konfliktit izraelito-palestinez në Gazë në fillim të tetorit, organizata të shumta të huaja terroriste kanë bërë thirrje për sulme kundër amerikanëve dhe Perëndimit, duke rritur ndjeshëm kërcënimin nga ekstremistët e dhunshëm amerikanë.

“Veprimet e Hamasit dhe aleatëve të tij do të shërbejnë si një frymëzim, të cilin ne nuk e kemi parë që kur ISIS nisi të ashtuquajturin kalifat disa vite më parë”, tha drejtori i FBI-së.

Vërejtjet u bënë gjatë një seance dëgjimore përpara Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjeve Qeveritare, që u mor kryesisht me kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara. Qeveria amerikane ka parë një rritje të kërcënimeve kundër hebrenjve, myslimanëve dhe arabo-amerikanëve që nga shpërthimi i luftimeve në Gaza.

Wray shtoi se numri i sulmeve ndaj bazave ushtarake amerikane jashtë shtetit nga grupet e milicisë të mbështetur nga Irani është rritur këtë muaj. Sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara nga Irani dhe aktorët joshtetërorë ka të ngjarë të përkeqësohen nëse konflikti zgjerohet, shtoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!