Nazarko: Kemi rikrijim të frontit serb në Mal të Zi me ndihmën e shqiptarëve, Abazoviç shenjoi një epokë

schedule16:54 - 30 Tetor, 2023

schedule 16:54 - 30 Tetor, 2023

Analisti Mentor Nazarko, gjatë intervistës për “Ballkan Update”, u ndal edhe tek zhvillimet politike në Mal të Zi. I pyetur nga gazetarja Linda Karadaku, analisti theksoi se qeveria e re, e udhëhequr nga Spajiç, është rikrijim i frontit pro serb. Sipas tij, ndikimi i Serbisë mund të rritet me këtë qeverisje.

“Garnitura qeverisëse aktuale e udhëhequr nga Spajiç nuk është asgjë më tepër se sa rikrijimi i Frontit pro serb të 2020-ës, por Abazovic nuk është me ta, por janë shqiptarët. Nëse falë rolit promotor dhe nxitës të Urës së Dritan Abazoviç, ky Front u ça dhe u tkurr në 14 deputetë-lindi Evropa Sot, sot kemi rikrijim të këtij Fronti dhe ku shqiptarët janë thjesht dekor zbutës i kësaj garniture. Evropa sot u krijua për shkak të kushtëzimeve të Abazoviç prej 2020-ës si afirmimi i një klase të re teknokratësh apo menaxherësh, ku më të spikaturit janë presidenti Milatoviç apo kryeministri Spajiç. Sot kemi rikthimin e tyre në të njëjtën koalicion me Frontin: sido që ta mendojmë: si bashkim I një gjysme dardhe me gjysmë molle, apo I dy gjysme mollëve në një garniturë qeverisëse. Nuk kemi pakica të pranishme, kemi vetëm shqiptarët, të cilët pretendojnë se mund të imitojmë Abazoviç, madje dhe me kushtet e tij, pretendojnë se mund t’i japin ngjyrë perëndimore kësaj maxhorance qeverisëse.

Besoj ju kujtohen shqetësimet apokaliptike filogjukanoviciane që ka shprehur Kurti, se me fitoren e Milatoviç dhe të lëvizjes Evropa Sot, kombi malazez do të zhduket. Nuk besoj se jemi në këto rrethana, por ama gjasat që ndikimi i Serbisë apo faktorëve të tjerë do të rritet me këtë qeveri janë reale. Kjo duket se SHBA-të janë skeptikë për këtë koalicion qeverisës Faktori shqiptar ka zgjedhur që të tentojë të bëjë të njëjtën lojë që bëri Abazoviç në 2020, ndonëse nuk ka 4 vota të arta( 3 në 49 dhe jo 4 në 41) dhe rolin e liderit po synon ta luajë Gjeloshaj që ka drejtuar mirë Tuzin.. Megjithëse, shqiptarët janë të pranishëm në mënyrë cilësore,- kanë ministrinë e zhvillimit ekonomik dhe të administratës publike- mbetet një qeveri që ngre shumë pikëpyetje për kursin e saj properëndimor dhe që nuk garanton stabilitet apo përmbushjen e objektivave të integrimit evropian.”, u shpreh Nazarko. Ndaj edhe SHBA-të janë spektikë ndaj kësaj qeverie të re.

Nazarko analizoi udhëheqjen e kryeministrit Dritan Abazoviç që e ngriti Malin e Zi në një nivel të ri të brendshëm, rajonal apo ndërkombëtar.

“Me votimin eventual të një njeriu si Andrea Mandiç në krye të parlamentit, një figurë që është thuajse non grata nga SHBA, i dyshuar për lidhje me Rusinë, me votimin edhe të kryeministrit Spajiç, kemi fundin e një qeverisje të një udhëheqësi shqiptar në krye të Malit të Zi çka meriton vëmendje si ngjarje që ndodh njëherë në njëqind vjet. Ne 3 vjet ai ka shenjuar një epokë në qeverisjen e këtij vendi të vogël sepse sot në fund të saj ( me gjithë rënien formale verën e 2022), kemi një bilanc që ka shenjuar forcimin e popullaritetit të perëndimit në gjirin e një shoqërie që është shumë e ndarë. Në sondazhet e fundit, NATO dhe BE shiheshin me më shumë simpati sesa tre vite më parë kur Abazoviç erdhi në drejtim. Ka arritje në luftën ndaj krimit, në fushën e ekonomisë, në rritjen e kontrollit të shtetit, në rritjen e rrogave për administratën publike dhe për qytetarët private. Kemi fortësim të subjektivitetit të Malit të Zi në planin rajonal.Ai arriti pa konfliktualitet- rritje të pavarësisë përkundrejt Serbisë: në fund kemi qëndrim të fortë kundër Dodik; për regjistrimin e popullsisë; me bllokimin apo masën non grata ndaj ambasadorit të Serbisë në Mal të Zi, kufizim të ndikimit rus dhe kinez; votim pro Palestinës në OKB; etj. . Kemi qëndrime të cilat e kanë rritur subjektivitetin ndërkombëtar të Malit të Zi, vend që ka problemet e veta të vjetra dhe të reja dhe që është ndikuar nga fuqitë rajonale. Në pikëpamje etnike, kemi fuqizim të faktorit shqiptar në Mal të Zi: lejim të mbajtjes së simboleve si flamuri; rritje e pranisë cilësore të shqiptarëve në qeverisje; forcim të vetdijes kombëtare në Plavë, Guci, Rrozhajë, rritje të investimeve në dy komunat Ulqin dhe Tuz, kemi fuqizim të marrëdhënieve me Shqipërinë si u duk me 13 marrëveshjet, ku ajo për Urën mbi Bunë, ka rëndësi strategjike. U forcuan marrëdhëniet me Kosovën, megjithë bezdive krijuar nga Kosova: Abazoviç e mbështeti Kosovën për Asosacionin, për dënimet ndaj fajtorëve të Banjskës, etj– tha ai.

Pse Abazoviç nuk qëndroi në pushtet – u pyet Nazarko. “Sipas paradokseve të njohura historike kundër tij peshoi keqkuptimi ndaj liderëve vizionarë që prishin statuskuonë dhe kapërcejnë epoka: u bënë bashkë malazezo-centrikët e shqetësuar nga rritja e rolit të Kishës- ndonëse Marrëveshja e firmosur jep shumë më pak ingerenca sesa Marrëveshja e Kosovës; me Kishën Serbe; u përçanë shqiptarët e verbuar nga propaganda e Vetëvendosjes; madje; Kisha serbe votoi kundër tij si u duk në votëbesimin e 2022“- përfundoi Nazarko./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!