Izraeli pretendon se ka ndalur një raketë të lëshuar nga Libani

schedule14:47 - 28 Tetor, 2023

schedule 14:47 - 28 Tetor, 2023

Ushtria izraelite tha më 28 tetor se ka ndaluar një raketë tokë-ajër të lëshuar nga Libani, përderisa autoritetet libaneze lëshuan një udhëzues në rast se duhet të bëhet evakuimi i aeroportit në Bejrut, në kohën kur tensionet në kufirin mes dy shteteve janë rritur.

Ushtria izraelite dhe grupi Hezbollah në Liban, që ka mbështetjen e Iranit, kanë këmbyer zjarr në baza ditore, që kur nisi konflikti midis Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, në Rripin e Gazës tri javë më parë, shkruan REL.

Këto janë tensionet më të larta në kufirin mes Izraelit dhe Libanit që kur të dyja palët zhvilluan një luftë më 2006.

Në konfliktin e vitit 2006, pistat e Aeroportit Ndërkombëtar të Bejrutit, që gjendet në jug të kryeqytetit të Libanit, ishin cak i sulmeve ajrore izraelite. Atëbotë, aeroporti u mbyll.

Me tensionet që janë rritur sërish, autoritetet në Liban lëshuan një udhëzues për evakuimin e aeroportit dhe instilacioneve përreth në rast të një emergjence. Megjithatë, në udhëzues nuk sugjerohet se ka një kërcënim të menjëhershëm për aeroportin.

Konflikti në Gazë, ku Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore, detare dhe tokësore, ka rritur frikën se luftimet mund të zgjerohen në rajon, përfshirë edhe në kufirin me Libanin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!