Women’s Nations League, trajneri Grima: Irlanda ekip i fortë, shkojmë për të dhënë më të mirën tonë

schedule16:16 - 25 Tetor, 2023

schedule 16:16 - 25 Tetor, 2023

Kombëtarja shqiptare e vajzave prej të hënës është grumbulluar në kryeqytet dhe po përgatitet në prag të dy sfidave ndaj Irlandës, të vlefshme për UEFA Women’s Nations League. Seancat përgatitore po zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit“ ndërsa ditën e sotme Kombëtarja shqiptare e vajzave do të udhëtojë drejt Irlandës për të zhvilluar duelin e tretë në grup.

Në një prononcim për mediat trajneri Grima theksoi se brenda grupit është krijuar një atmosferë mjaft e mirë. Përsa i përket ekipit, ai deklaroi se disa vajza nuk janë në gjendjen më të mirë fizike.

“Atmosfera është e mirë, vajzat janë të njohura me njëra – tjetrën. Është një grup i mirë, është një grup që kombinojnë mjaft mirë me njëra – tjetrën, janë si një familje. Problematika ka, pasi kemi dëmtime, ka vajza që nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë fizike, pasi vijnë nga dëmtimet. Gjithsesi me ato vajza që kemi në dispozicion mendoj ta përballojmë me sukses edhe këtë ndeshje”,- i shpreh fillimisht trajneri Grima.

Më tej, trajneri Grima vlerësoi ekipin kundërshtar, duke theksuar se është një skuadër shumë e fortë. Trajneri kuqezi është besimplotë se Shqipëria e vajzave do të japë më të mirën në transfertën irlandeze.

“Luajmë kundër një ekipi shumë të fortë, që vjen nga kampionati botëror. Është një ekip që duhet respektuar sepse është në krye të grupit. Megjithatë ne shkojmë për të dhënë më të mirën, ashtu siç kemi bërë në dy ndeshjet e para me Irlandën e Veriut dhe Hungarinë. Do të mundohemi të japim më të mirën, të marrim maksimumin prej vajzave dhe të dalim me kokën lart nga ndeshja”.

Në lidhje me pritshmëritë e Shqipërisë në grupin B1, trajneri Grima deklaroi se synimi kryesoj është mosrënia në ligën C. “Objektivi kryesor i jonë është që ne të mos jemi vendi i fundit në renditje. Janë tre skuadra që janë mbi ne, janë skuadra shumë të mira, që kanë përvojë të madhe e të gjatë në aktivitetet e futbollit të femrave.

Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën që të mos biem në grupin C. Me pak fat mund edhe të jemi vendi i dytë në grup, por mund të jemi edhe vendi i tretë. Në rast se do të na mungojë fati, mund të përfundojmë edhe të fundit. Ne do të përpiqemi të japim më të mirën tonë, që të mos jemi vendi i fundit në grup”,- përfundoi trajneri Grima.

Shqipëria e vajzave e luan ndeshjen e radhës në UEFA Women’s Nations League ndaj Irlandës më 27 tetor, prej orës 18:45 në “Tallaght Stadium” në Dublin. Takimi tjetër me Irlandën zhvillohet më 31 tetor, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës dhe nis në ora 18:00. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!