Rreziku për recesionin në Eurozonë është i pashmangshëm  

schedule10:30 - 25 Tetor, 2023

schedule 10:30 - 25 Tetor, 2023

Shenja të reja të recesionit po bëhen gjithnjë e më të dukshme nga aktiviteti i sektorit privat të Eurozonës, i cili u tkur edhe më shumë në tetor, me treguesin relativ që tashmë ka prekur nivelin më të ulët të tre viteve.

Indeksi i përbërë i Menaxherëve të Blerjeve (PMI) nga S&P Global për eurozonën ra në 46.5%, shumë nën pikën prej 50% që tregon një recesion.

“Gjërat po shkojnë gjithnjë e më keq në Eurozonë,” sipas Cyrus de la Rubia, kryeekonomist në bankën tregtare të Hamburgut.

“Nuk do të habiteshim të shihnim një recesion të lehtë në Eurozonë në gjysmën e dytë të vitit”, shtoi ai.

Sfidat për ekonominë e bllokut janë të shumta, ku më të mëdhatë janë normat e larta të interesit, kostot e energjisë dhe sigurisht zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Javën e ardhshme do të publikohen të dhënat e PBB-së së Eurozonës në tremujorin e tretë, e cila pritet të tregojë një tkurrje prej 0.1%. Dy ekonomitë më të mëdha të bllokut kanë treguar shenja tkurrjeje edhe për një muaj tjetër.

Sipas S&P Global, ekonomia gjermane duket se po shkon drejt recesionit në vitin 2023.

“Gjermania e nis tremujorin e fundit të vitit jo aq mirë. Prodhimi vazhdon të bjerë me një ritëm të shpejtë dhe aktiviteti në sektorin e shërbimeve, i cili u rrit muajin e kaluar, është kthyer në vijën e kuqe,” tha De la Rubia.

Në Francë, aktiviteti në sektorin e prodhimit u tkurr me ritme më të shpejta për shkak të kërkesës së dobët dhe indeksit të pritjeve, i cili ra në nivelin më të ulët në të paktën tre vjet.

/abcnews.al