Kreu i LVV, që fitoi zgjedhjet në Kosovë, Albin Kurti pritet të takohet të enjten me kreun e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës Isa Mustafa dhe kandidaten për kryeministre nga kjo parti Vjosa Osmani.
Kjo e fundit ka bërë të ditur dje se është e gatshme për këtë takim me fituesin e zgjedhjeve dhe u shpreh se koalicioni qeverisës në Kosovë mund të krijohet vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Qytetarët përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme”, shkruan Vjosa Osmani në Facebook.
“Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani. Albin Kurti këmbëngul për një koalicion me LDK-në, në të kundërtën thotë se Kosova sërish do të shkojë në zgjedhje./ABC News Albania 24/7