Forcat e Armatosura izraelite (IDF) mohuan raportet nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) se ata ishin paralajmëruar nga Izraeli që të evakuonin Spitalin Al-Quds dhe pesë shkolla në Gaza në pritje të një sulmi të afërt.
Një zëdhënës i IDF-së theksoi se nuk kishte asnjë paralajmërim për evakuimin e një spitali apo shkollash, duke përsëritur se ushtria izraelite prej ditësh u ka kërkuar të gjithë civilëve në pjesën veriore të Rripit të Gazës që të evakuojnë zonën dhe të shkojnë në jug.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze lëshoi një “apel urgjent” për komunitetin ndërkombëtar të premten, duke deklaruar se “mori një kërcënim nga forcat pushtuese për të bombarduar spitalin Al-Quds”. Në këtë spital trajtohen 400 pacientë dhe janë akomoduar 12 mijë civilë të zhvendosur, pohon organizata palestineze e ndihmës dhe kujdesit.
“Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe urgjente për të parandaluar një tjetër masakër, si ajo që ndodhi në Spitalin Baptist Al Ahli”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Forcat e armatosura izraelite kanë theksuar vazhdimisht se nuk synojnë spitalet.
Në të njëjtën kohë, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) bëri thirrje për evakuimin e shumë shkollave të saj ku civilët janë strehuar në qytetin e Gazës, duke gjykuar se ata “nuk janë më të sigurt”.
“Ne jemi informuar nga Izraeli se është e nevojshme të evakuohen këto struktura sa më shpejt të jetë e mundur. Ne bëmë gjithçka që mundëm për të protestuar dhe hedhur poshtë këtë vendim, por në fund të fundit është se tani strukturat tona nuk janë më të sigurta”, tha UNRWA në deklaratën e saj.