Zyrtarisht Milani i ka besuar stolin trajnerit Stefano Pioli, i cili më parë ka drejtuar skuadrën e Interit. Dje, sapo doli në skenë emri i tij, tifozët nisën të protestonin në rrjetet sociale. Pioli në të shkuarën është shprehur se është interist dhe kjo nuk u pëlqen tifozëve kuqezi. Gjithsesi Milani ka dalë kundër tyre dhe ka nënshkruar për dy vite me teknikun Pioli.
“AC Milan njofton se i ka besuar drejtimin e stafit teknik të ekipit të parë, Stefano Pioli-t. I lindur në Parma më 20 tetor të vitit 1965, Stefano Pioli e ka filluar karrierën si trajner në vitin 1999. në vitin 2006 debutoi në Serie A me Parmën dhe më pas kishte përvoja të suksesshme në klube të tjera të elitës, si Chievo Verona, Palermo, Bologna, Lazio dhe Inter, para se të stërviste skuadrën e Fiorentinës në vitin 2017.
Stafano Pioli i bashkohet Milanit me një kontratë 2-vjeçare. Klubi e mirëpret ngrohtësisht Stefanon dhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe u uron më të mirën në punën e tyre”, shkruhet në komunikatën e klubit të Milanit, që një ditë më par kishte njoftuar ndërprerjen e marrëveshjes me trajnerin Marco Giampaolo. /abcnews.al