Presidenti francez, Emmanuel Macron tha këtë të martë në Tiranë, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, se Franca nuk është gati të lejojë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në fillim të vitit tjetër, ashtu siç ishte parashikuar, duke shtuar se ‘fjala e dhënë nuk po mbahet’.
Për këtë çështje u diskutua edhe në studion e emisionit “Ballkan Update”, me të ftuar Naim Jakajn nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai tha për gazetaren Linda Karadaku se deklarata e presidentit francez ishte një shok për të gjithë qytetarët që po presin liberalizimin e vizave me 1 Janar të vitit që vjen.
“Qytetarët përjetuan shok sepse jemi përgatitur se pas një kohe aq të gjatë si qytetarë që iu cenua liria e lëvizjes në BE, me ç’rast Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë qenë para 5 viteve dhe ndërkohë sot del një lajm që tregon se si qytetarët nuk mund të lëvizin lirshëm nga data 1 Janar 2024. Ishte një shok dhe traumë aq sa dimë në bazë të procedurave Brenda BE, besojmë se kjo gjë nuk do të duhej të ndodhë që qytetarët e Kosovës të mos mund të lëvizin për çfarëdo arsye.”, u shpreh ai.
Megjithatë, ai shtoi se e sheh deklaratën e Macron si një presion që marrëveshja të zbatohet sa më shpejt dhe të mos ketë inate politike mes vendeve.
“Presidentja e Kosovës dhe kryeministri Kurti kanë pasur takime të rëndësishme dhe pritje madhështore nga presidenti i Francës dhe kancelari gjerman, të cilëve iu janë dhënë premtimet se do të ketë një marrëveshje që do të jetë ajo e paqes, dhe çështje që janë të hapura ende me Serbinë do të përfundojnë me një marrëveshje finale të obligueshme që do të jetë në shërbim të paqes dhe stabilitetit të rajonit. Kjo u pa me dërgimin, para se me ndodhur agresioni i grupeve terroriste në veri, e qindrave forcave policore në veri dhe situata ishte e tensionuar. Ne kemi atje kryetarët që janë ligjërisht në rregull por nuk legjitimitet të plotë sa i përket funksionimit të tyre. Nga ana tjetër, patëm agresionin e grupeve terroriste dhe gjendja u përkeqësua ku situata të shkonte në atë të viteve ’99, ku çdo gjë nuk rregullohet me marrëveshje por me përdorim të forcave. Kjo siç duket e ka acaruar presidentin Macron, që me ç’rast kjo nisje sanksionesh i ka rënë më shumë Kosovës dhe jo Serbisë. Ndërkohë nuk kemi asnjë sanksion ndaj Serbisë për shkak se BE është duke i hetuar veprimet e saj në rast se ka pasur vendim ose përfshirje të saj në këtë grup. Por deklaratën e sotme e shoh si presion ose jo garanci e plotë se Kosova do t’i gëzojë vizat nga data 1 janar 2024, si presion që marrëveshja të zbatohet sa më shpejt dhe të mos ketë pengesa apo inate politike ballkanas.”, përfundoi Jakaj./abcnews.al