“Liderët do ta kenë vështirë me të!”: I dërguari special i Trump mbërrin sot në Kosovë

schedule09:16 - 9 Tetor, 2019

schedule 09:16 - 9 Tetor, 2019

Përfaqësuesi Special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, sot arrin për vizitë në Kosovë.

Siç njofton Presidenca e Kosovës, ambasadori Richard Grenell do të takohet me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Takimi do të zhvillohet në kabinetin e presidentit Thaçi në ora 13:00.
Para disa ditësh presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Analistët politikë për vizitën e Grenell: Liderët do ta kenë vështirë me të

Vizitën e emisarit amerikan, e kanë komentuar edhe analistët politik
Visar Azemi ka thënë se ardhja e Grenell është mesazh i presidentit Trump për palët në dialog, po ashtu edhe për mandatarin e qeverisë se çfarë e pret atë në këtë process.

“Grenell është emëruar nga Trump për të ndërmjetësuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është mesazhi i parë i presidentit amerikan për palët në dialog. Vizitën e tij të hershme para konstituimit të qeverisë e shoh si mesazh edhe për mandatarin e qeverisë se çka e pret atë në dialogun me Serbinë si edhe përkushtimin e SHBA-së në këtë fazë. E dimë se sa i ashpër ka qenë Grenell në kohërat e mëhershme edhe ndaj Gjermanisë. Ta shohim me rrezik se çka e pret Kosovën dhe cilat janë sfidat edhe kompromiset që Kosova do t’i bëj në marrëveshjen finale me Serbinë”, thotë analisti politik

Ndërsa Artan Muhaxhiri shprehet se presidentit të SHBA-ve i duhet sa më shpejtë ta përfundojë procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj e ka dërguar një aset politik të tij.

“Grenell është i veçantë dhe person i jashtëzakonshëm. Ai ka arrit të deklarohet si homoseksual dhe përfaqësues i republikanëve. Ai quhet edhe Trumpi i Vogël, është një djathtist i ashpër, edhe Angela Merkel ka pas probleme me të.
Është e pabesueshme që Trump do ta dërgonte një aset politik nëse s’do të kishte në plan përshpejtimin e arritjes drejt fundit së epilogut mes Kosovës dhe Serbisë. Presidentit amerikan i duhet një fitore pasi që ka marrë kritika, por këtë e ka edhe si kartë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Grenell do ta personalizojë këtë çështje dhe do të jetë shumë i ashpër dhe kërkues nga liderët kosovarë dhe ata serbë. Edhe Vuqiç nuk i kishte i gëzuar me emërimin e tij”.

Ndërsa, Rrahman Paçarizi shprehet se Trump ka dërguar një person të pakompromis, pasi para një viti mesazhi i tij s’u lexua nga Serbia dhe Kosova.

“Po bëhet një vit prej kur Trump ka dërgu porosi në adresë të Kosovës dhe Serbisë për dialog, tani kur ajo s’është lexu drejt nga këto dy shtete, ai në fund e ka caktuar njeriun e tij që fatkeqësisht është i pakompromis dhe i gatshëm për përplasje”.

Paçarizi shton tutje se ardhja e emisarit amerikan do të jetë edhe një test për Albin Kurtin si kryeministër i ardhshëm.

“Do të ketë bashkëbisedues, një kryeministër të ri, i cili ka nevojë të dëshmohet nëse është personi i duhur, mjaftueshëm i fuqishëm që do të mund të dialogoj me Serbinë për ta nxjerrë Kosovën fituese”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!