Për Rripin e Gazës prej kohësh në Gjermani ka paralajmërim për udhëtimet drejt Rripit të Gazës, ndërsa aktualisht u shtua në këtë listë edhe Izraeli dhe territoret palestineze. Të dielën (15.10.2023) Ministria e Jashtme u dha njoftimin me paralajmërim qytetarëve që të kenë kujdes dhe mundësisht të evitojnë udhëtimet drejt Izraelit, territoreve palestineze dhe Libanit. “Izraeli mbetet si objektivi i shpallur i grupeve terroriste”, thuhet në argumentim. Po ashtu ka shqetësim lidhur me pasojat e një ofensive të shpejtë në tokë të shpallur nga Izraeli.
Rivlerësimi i gjendjes u bë një javë pas sulmeve të Hamasit, të shpallur nga SHBA, BE, Gjermania dhe të tjera vende si organizatë tërroriste. Hamasi militant islamik të shtunën e kaluar (7.10.2023) nisi një sulm masiv terrorist ndaj Izraelitduke shkaktuar një nga masakrat më të përgjakshme që nga themelimi i shtetit të Izraelit më 1948. Që nga ajo kohë ka pasur vazhdimisht sulme.
Sipas të dhënave të autoriteteve nga pala izraelite janë vrarë mbi 1300 vetë dhe rreth 150 persona mbahen peng nga terroristët. Si pasojë IDF shënjestroi Rripin e Gazës të dominuar nga Hamasi, sipas të dhënave të autoriteteve të Hamasit janë vrarë mbi 2200 palestinezë.
Ushtria gjermane, Bundeswehr, ka nisur të transportojë shtetasit gjermane nga Izraeli për në Gjermani. Për këtë janë vënë në dispozicion avionë ushtarak transporti të tipit A400M, konfirmoi aviacioni ushtarak. Këta avionë kanë çuar “material” në Tel Aviv dhe gjatë kthimit do të marrin shtetasit gjermanë që duan të kthehen në atdhe. Deri tani janë kryer tre fluturime dhe janë evakuuar rreth 160 shtetas gjermanë. Avionët të dielën (15.10.2023) u ulën sërish në Wunstorf të Saksonisë së Ulët.
Shoqëria ajrore gjermane, Lufthansa evakuoi rreth 2800 shtetas gjermanë dhe më pas pati bërë me dije, se për arsye sigurie nuk do të ofrojë më fluturime të posaçme për në Izrael. Në grupin Lufthansa bëjnë pjesë edhe Swiss, Austrian dhe Brussels Airlines. Këto shoqëri i kanë mbështetur vendet e tyre secili me nga 15 fluturime të posaçme për dhe nga Izraeli./DW