Zef Zorba është një poet i cili lindi dhe jetoi në kohë të mbrapshta, i shkolluar në Shkodër të Etrit Franceskan dhe në Padova, pjesën më të madhe të jetës së tij do e kalonte në heshtje me poezitë dhe përkthimet e tij.
“Babai na ka mësuar që pasuria ma e madhe është ajo shpritërore…. E kur shfletojmë këto dokumente të arkives së babait emocionet janë të mëdha”.
“Zef Zorba ishte edhe poeti i parë disident, i cili në kushtet e sakrificës së madhe përgjatë përndjekjes komuniste shkroi poezi që dëshmonin shpirtin e tij të lirë”.
Në muzen e “Vënedi i dëshmisë dhe kujtesës” kushtuar vuajtjeve gjatë periudhës komuniste, u hap ekspozita me materialet personale të Zef e Terezina Zorba.
Dokumente, fotografi të ndryshme të ndara në disa kohë, në këtë ekspozitë gjejmë edhe certifikatën e tij të shkollës që mban firmën e At Gjergj Fishta, apo edhe librezën e studentit për diplomaci në Padova.
Ai do të arrestohet në vitin 1946, kur edhe ishte përgjegjës i degës së artit filo-dramatik në shtëpinë e kulturës së asaj kohe. Do kishte një bashkëpunim të madh me mikun e tij Prenk Jakova. Aty edhe do njihet me bashkëshorten e tij Tereza, një dashuri e cila kaloi përmes vuajtjesh të mëdha.
“Ata kanë pasur një marrëdhënie jashtëzakonisht të veçantë. Janë njohur rastësisht kur ata kanë qenë duke u përgatitur të vendosin në skenë “Anmikun e popullit” mbasi që e quajtën 1945 si përgjgjës së artit filodramatik në Shtëpinë e Kulturës, në atë kohë aktorë kishte shumë pak. Babai bëri një thirrje në gjimnaze, erdhen disa vajza të reja dhe e pikasi menjëherë se nëna mund të bëhej aktore, dhe këtu ka filluar shkëndija e parë, dhe me një miqësi të pastër, dhe me fillimin e një dashurie, aq sa me 17 shtator 1946 kur babai arrestohet, gjen një mundësi t’i shkruajë dy rreshta nënës, nuk e di si ia ka arritur. Tereza i thotë mundohu të largohesh nga Shkodra. Edhe gjyshi arriti ta dërgojë nënën në Tiranë, por nuk i shpëtoi arrestimit, dhe me 30 shtator, ajo arrestohet ajo është mbajtur tek shtëpia e gjetheve një javë. Mandej kanë gjetur mënyren për të komunikuar edhe në burg, sepse babai ka dashur të gjejë mënyrën ta lirojë prej akuzave. Ata janë dënuar me një gjyq që as ndër letra nuk është mbajtur, por në letra cigaresh”.
Nëna tregonte se kur është kthyer nga kampi i Bedenit vetëm përmes një fesi e kam njohur, aq ishte dobësuar.
“ Duke parë këto materjale, secili prej nesh sheh se çfarë ishte Zorba… duke filluar nga fotografitë, sendet personale, njihesh me një person që ishte i jashtëzakonshëm. Me një person që ishte modern, një person i cili ishte tepër i edukuar, tepër i shkolluar, mjafton veprat që ai lexonte, ato që ai përkthente, mjafton poezitë e tij që i shkruante para se ai të binte në burg, dhe ato pasi të dilte nga burgu, arrijmë që nëpërmjet letërkëmbimeve me familjarët shohim ironinë e tij, humorin e tij të hollë… Më kujtohet një letër e tij që i shkruan nënës së tij nga Kampi i Omar Pojanit, i thotë që jam shumë mirë, në kushte perfekte dhe jam shëndoshë dhe si se kam një fotografi që t’u tregoj sa jam shëndoshur, pra kam ushqim të bollshëm dhe po bëj një jetë sedentare. Ndërkohë ajo ishte e kundërta”…
Ai asnjëherë s’u ndal së punuari, edhe pse nuk e dinte nëse poezitë e tij përkthimet, dramat do arrinin të shihnin dritën e botimit, por Zef Zorba, dijet e tij, kulturën e lartë nuk e mbante për vete, madje ai edhe në atë kohë të vështirë në obrrin e shtëpisë së tij bënte shfaqje për të rritur dhe për fëmijë. Elena Zorba, e bija kujton netët e gjata ku aktorët e Shkodrës rrinin me Zef Zorbën dhe diskutonin për personazhe të veprave për lojën e aktorit. Ai donte të jepte gjithë atë çka dinte…
“Tinka Kurti, vinte se ishte kushërira e nënës sime, vinte shpesh kur kishte rol të rëndësishëm, unë i mbaj mend bisedat me babain edhe me nga 2 orë, kur do u vinte në skenë Shtëpia e Kukullës, dhe kjo kishte rolin kryesor të Norës. Serafin Fanko, pa përmendur Lec Bushatin që ka qenë mik i tij. Vinin sepse e dinin te cila derë janë duke trokitur. Babai kishtë dëshirë që të jepte atë që dinte, të gjithë kulturën dhe gjithë atë që mbante përbrenda”..
Edhe pse hermetizmi komunist i kishte hequr të drejtën që Zef Zorba të botonte, poezia e tij hermetike do dilte në dritë vetëm pasi ai kishte ndërruar jetë.
“Ai ka punuar shumë në një heshtje gjysmë shekullore, por unë mendoj se pavarësisht nga errësira që e rrethonte jashtë, brenda tij ka pasur shumë dritë, shumë liri dhe nëpërmjet kësaj ka arritur që të shkuajë poezitë e tij, të shkruajë dramat, libretet e operave, te merret shumë me përkthimet….Im atë ka ikur nga kjo botë pa i parë të botuara veprat e tij, por ai e ka ditur se një ditë, drita do t’i përfshijë, madje në njërën prej poezive që e shkruan për motrën time Lalin, ai shkruan… Lali vetëm drita s’ka mbarim, ai e ka ditur që drita do të vijë”…
Zef Zorba ka qenë regjisor, përkthyes dhe poet. Është autor i dy librete operash, Teuta dhe Rozafa, tekste këngësh me muzikë të Prenk Jakovës. I zbuluar vetëm pas vdekjes, më 1994 iu botua vëllimi me poezi “Buzë të ngrira në gaz”./abcnews.al