Ndeshja angazhon 2300 policë/ Drejtori i Policisë: Në komisariat tifozët me mjete piroteknike

schedule16:11 - 12 Tetor, 2023

schedule 16:11 - 12 Tetor, 2023

Janë 2300 efektivë policie, të cilët do të jenë të angazhuar sot në Tiranë për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Çeki. Ky është numri më i madh i mobilizuar ndonjëherë nga policia për një ndeshje futbolli.

Në një intervistë për ABC News, drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka treguar strategjinë që do përdorë policia e shtetit për të siguruar edhe këtë aktivitet të rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare.

“Është numri më i madh i forcave policore të angazhuar ndonjëherë. Do të jenë të angazhuar 2300 efektivë policie”, shtoi Vocaj.

Vocaj u bën apel tifozëve për vetëpërmbajtje. Drejtori i Policisë së Tiranës kujton se në stadium do të ndalohen mjetet piroteknike dhe sendet e tjera të forta, ndërsa kushdo që kapet me to gjatë kontrollit, do të shoqërohet në komisariat.

“Kemi një plan të detajuar për kontrollin e çdo individi për të mos lejuar sende e palejuar. Ne do kontrollojmë vazhdimisht  me kamerat në stadium dhe do ndiqet çdo cep i stadiumit. Çdo qytetarë që do të kapet nga policia do të shoqërohet në komisariat dhe do vijojnë proceduar e ndjekjes penale”, theksoi ai.

Drejtori Vocaj foli dhe për hetimet e masat për falsifikimet e biletave për ndeshjen e sotme.

“Kemi evidentuar raste. Janë reklamuar në rrjete sociale. Ne kemi hetime konkrete që shpresojmë ti finalizojmë edhe për falsifikimin e biletave”, tha ai.

Vocaj ka theksuar se Policia e Shtetit ka pasur edhe një takim me homologët çekë. Nga informacionet e marra për tifozët çekë, në Tiranë nuk pritet të vijnë tifogrupe që njihen si huliganë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!