Finlanda: Rusia po rrit kërcënimin ndaj infrastrukturës

schedule15:39 - 12 Tetor, 2023

schedule 15:39 - 12 Tetor, 2023

Kërcënimi i operacioneve ruse ndaj infrastrukturës së Finlandës është rritur që kur ajo u bashkua me NATO-n, thanë shërbimet finlandeze të inteligjencës (Supo), ndërsa autoritetet hetuan sabotimin e mundshëm të një tubacioni.

“Kërcënimi i spiunazhit ose operacioneve të ndikimit kundër infrastrukturës thelbësore është rritur,” tha në një konferencë për shtyp Andy Peltari, drejtor i Supo.

Marrëdhëniet me fqinjin e fuqishëm janë “përkeqësuar ndjeshëm” që kur Finlanda u bashkua me NATO-n në prill dhe Rusia “po përgatitet të marrë masa kundër Finlandës”, thanë shërbimet finlandeze në raportin e tyre vjetor.

Autoritetet finlandeze po hetojnë rrjedhjen që çoi në mbylljen e tubacionit Balticconnector midis Finlandës dhe Estonisë të dielën, me dyshimin për ndërhyrje të mundshme nga jashtë.

Peltari nuk pranoi të komentojë origjinën e këtij incidenti, duke thënë se “përfshirja e një aktori shtetëror nuk mund të përjashtohet”.

Pas tre dekadash neutraliteti ushtarak, Finlanda, e cila ndan një kufi 1,300 km me Rusinë, u bë anëtari i 31-të i NATO-s në fillim të prillit.

Incidenti i tubacionit erdhi një vit pas sabotimit të 26 shtatorit 2022 të gazsjellësit Nord Stream që transporton gaz natyror nga Rusia në Gjermani, origjina e të cilit mbetet një mister.

Gjendja e sistemit finlandez të gazit do të mbetet e qëndrueshme falë furnizimit nga terminali lundrues i gazit natyror të lëngshëm (GNL) në Inku, sipas operatorit finlandez të rrjetit Gasgrid.

Gasgrid vlerëson se riparimet do të zgjasin të paktën pesë muaj.

“Operacionet që mund të paralizojnë infrastrukturën finlandeze janë të pamundura, por Rusia ka si qëllim të krijoj panik,” tha Supo.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg premtoi dje, të mërkurën, një “përgjigje vendimtare” nga Aleanca nëse dëmi i shkaktuar në tubacionin midis Finlandës dhe Estonisë në Detin Baltik rezulton të jetë rezultat i një “sulmi të qëllimshëm”.

Estonia është gjithashtu anëtare e NATO-s.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!