Agjensia ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s ka rikonfirmuar vlerësimin e ekonomisë së Shqipërisë me notën B1, ose e thënë ndryshe me perspektivë të qëndrueshme. Në raportin e vjeshtës, theksohet se stabiliteti makro ekonomik u ruajt gjatë tre goditjeve të mëdha që pësoi ekonomia në vitet e fundit.
Ndërsa sektori i turizmit, që ka prekur një kulm të ri këtë vit, shihet si një kontribues kryesor në këtë ecuri pozitive të ekonomisë. Eksperti për ekonominë, Majlind Lazimi, duke komentuar këtë raport, theksoi se rikonfirmohet edhe njëherë se Shqipëria konsiderohet një vend me ekonomi të qëndrueshme.
Ai thotë se ky vlerësim nuk merr në konsideratë elementet socialë, ndaj është e rëndësishme që qeveria të ndërmarrë politika më agresive për shtresat vulnerabël. Eksperti shtoi se nuk duhet të varemi nga vlerësimet ndërkombëtare por duhen bërë ndryshime të prekshme për biznesin vendas dhe qytetarët.
“Mesa duket qeveria tashmë e në fokus subjektin fiskal. Do të doja që qeveria që përveç anës të konsolodimit fiskal të financave publike, të ishte pak më gjeneroze për sa i përket atyre që quhen instrumente financiare të sektorit të caktuar me politika më shumë sociale, gjë që nuk mund ta ketë prioritetin tek reduktimi i borxhit por një efekt pozitiv për sa i përket konsolidimit fiskal apo një lloj amortizimi të borxhit, i cili me të drejtë u rrit në 2020- 2021, është fakti se kemi një rritje çmimesh në nivel global. Inflacioni ndikoi për të arkëtuar më shumë para për shkak të rritjes së çmimeve. Të ardhurat u rritën në buxhetin e shtetit. Duhet të kemi parasysh se një element pozitiv në konsolidimin fiskal në këtë rast ka qenë kursi i këmbimit dhe leku ka qenë më i vlerësuam që domethënë se më pak lekë është dashur për të paguar pagesat e interesit sa i përket borxhit të jashtëm. Kanë qenë disa faktor, faktori inflacionist ka qenë në këtë krah pozitiv për qeverinë për të pasur një lloj reduktimi të borxhit publik dhe nga ana tjetër kursi i këmbimit pa ndihmuar qeverinë për të pasur një reduktim të nivelit të borxhit.“, u shpreh eksperti.
Një element pozitiv që ka ndikuar në këtë raport është edhe turizmi. I pyetur se si do të ndikojë ky sektor në rritjen ekonomike, eksperti tha:
“Shqipëria në pikëpamjen e investimet strategjikë, turizmi është ndoshta sektori i vetëm që ka impakte pozitive ndaj sektorëve të tjerë sepse janë 250 mijë punëtorë të lidhur direkt me turizmin, prodhon dhe kthen në kontribut në ekonomi rreth 20 për qind të saj. Është një sektor që është i lidhur në mënyrë organike me bujqësinë dhe nga ana tjetër është dhe pasaporta më e mirë e imazhit të Shqipërisë, sepse përmes një turizmi të suksesshëm, efekti pozitiv është edhe në sektorë të tjerë.
Turizmi është emëruesi i përbashkët i shumë sektorëve të tjerë, që po të bëhet në mënyrë integrale dhe të qëndrueshme, padyshim që efekti i saj në ekonomi, qoftë në punësim dhe rritje të të ardhurave të xhepave të familjarëve, efektet janë përtej të drejtpërdrejta që ka sektori dhe është e vetmja ‘pasaportë’ për të pasur një efekt pozitiv tek turistët dhe në rritjen e investitorëve të rinj.”, u shpreh ai./abcnews.al