Kina liron pas 3 vitesh gazetaren australiane, Cheng Lei

schedule09:58 - 11 Tetor, 2023

schedule 09:58 - 11 Tetor, 2023

Kina e ka liruar gazetaren australiane Cheng Lei, pas më shumë se tri vjetëve, njoftoi të mërkurën kryeministri i Australisë, Anthony Albanese.

Ai tha se Lei u lirua nga paraburgimi dhe u ribashkua me dy fëmijët e vet në Melburn, shkruan REL.

“Populli australian ka dashur aq shumë ta shihte Cheng Lein duke u ribashkuar me fëmijët e vet”, tha Albanese.

Cheng, ish-spikere e lajmeve në televizionin shtetëror kinez CGTN, ishte paraburgosur në gusht 2020.

Ajo ishte arrestuar formalisht disa muaj më vonë dhe ndaj saj ishte ngritur aktakuzë për “dërgimin e sekreteve shtetërore jashtë vendit” në një rast për të cilin shumë njerëz thanë se ishte i nxitur politikisht.