Kursi për formimin e fizioterapistëve, diplomohen 23 pjesëmarrësit

schedule17:36 - 9 Tetor, 2023

schedule 17:36 - 9 Tetor, 2023

Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF ka përmbyllur me sukses kursin për formimin e fizioterapistëve, të cilët janë të aftë të punojnë me klubet e futbollit, por edhe me ekipe të sporteve të tjera.

Kursi, që zgjati për rreth 7 muaj dhe ku morën pjesë 23 pjesëmarrës, u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nën udhëheqjen e Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF dhe doktorëve të Kombëtares Gianluca Stesina dhe Ilvi Begolli. Pas përfundimit të edicionit të radhës të këtij kursi, u organizua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 23 pjesëmarrësit.

Lektorët kryesorë në këtë kurs ishin dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që për çdo modul ishin të ftuar lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë, nga vendi dhe bota.

Në këtë kurs pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të ndjekin e të thellojnë njohuritë e tyre mbi tema të ndryshme, që nga dëmtimet e gjurit, këmbës dhe legenit, te dëmtimet e gjymtyrëve të sipërm, kolonës lumbare, dëmtimet muskulare në sport e nutricioni sportiv, si edhe te përdorimi i terapisë strumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme e ndihma e parë (urgjenca) BLSD dhe rianimimi kardio-pulmonar.

Ky kurs për mjekësinë sportive është pjesë e një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive, me qëllim arritjen e standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. FSHF punon prej kohësh me të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, institucionet spitalore si dhe federatat e tjera sportive në vend. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!