LONDËR- Profesori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Zeb Bytyçi thotë se ka gjasa që konflikti në Rripin e Gazës të zgjerohet më tej. Ai thekson se inteligjenca amerikane ka thënë se pas sulmeve është përfshirë dhe Irani.
Sipas profesorit, krijimi i vatrave të reja të konfliktit shkon në interes të Rusisë pasi këto akte do të zvogëlonin vëmendjen në Ukrainë.
“Ka rrezik për zgjerim të konfliktit. Ka dëshmi, sipas inteligjencës amerikane se ka qenë i përshirë Irani drejtpërdrejt në përgatitjen e sulmeve dhe e kanë dhënë dritën e gjelbër për ndodhjen e sulmeve. Duhet ta shohim në kontekst të përpjekjeve të Rusisë që të hapë vatra të reja konfliktesh, siç ishte rasti edhe rasti me inkursionin terrorist serb në veri të Kosovës, por edhe dhënies së dritës së gjelbër për konfliktin e ri që ndodhi në Krabak. Mund të ndodhë që të ketë zgjerim të konfliktit. Ka shumë gjasa që të këtë një sulm të përgjithshëm në Rripin e Gazës nga Izraeli gjë që kupton se do ketë një numër të refugjatësh, që do ndikojë pastaj te Egjipti dhe mund të ketë përhapje të konfliktit në Bregun Perëndimor”,tha ai.
Gjatë intervistës për “Ballkan Update”, profesori thotë se nëse Izraeli do ketë nevojë për armatim dhe ndihmë nga vendet perëndimore, atëherë kjo do të thotë se do ulet mundësia për të çuar ndihmë ushtarake në Ukrainë.
“Izraeli nuk do jetë në gjendje që të eksportojë armatim drejt Ukrainës dhe nëse duhet të ndihmohet Izraeli nga shtetet perëndimore me armatim kjo gjithashtu nënkupton se ai armatim nuk do jetë në dispozicion për Ukrainën. Kjo është pika e stresit të perëndimit për t’u ballafaquar me sulmin nga Rusia. Sa më shumë vatra të krizave që ka, aq më shumë stresohet mekanizmi i përgjithshëm perëndimore për t’u ballafaquar me këto kriza”, tha ai./ n.m.abcnews.al