Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë, Veliaj: Një tjetër gur i çmuar në Shqipërinë europiane

schedule10:37 - 6 Tetor, 2023

schedule 10:37 - 6 Tetor, 2023

Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë, Veliaj: “Mirënjohës që zgjodhët Tiranën! Një tjetër gur i çmuar në Shqipërinë europiane”

U nënshkrua sot në Tiranë, Memorandumi i Mirëkuptimit për hapjen e kampusit të Kolegjit të Evropës. Kolegji i Europës, një nga institucionet kryesore në zhvillimin dhe promovimin e projektit europian, do të vendoset në një nga simbolet e transformuara të kryeqytetit, te Piramida, ndërtesë që po merr një pamje të re, për t’u shndërruar në qendrën e teknologjisë dhe informacionit për Ballkanin Perëndimor.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në ceremoninë e nënshkrimit të këtij memorandumi, së bashku me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu dhe Rektoren e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, u shpreh mirënjohës për faktin se Tirana është përzgjedhur mes shumë qyteteve europiane për hapjen e këtij kampusi.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që sot firmosim vendosjen e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë. Vjet Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe patëm rreth 1600 aktivitete, qyteti gëloi nga jeta. Këtë vit jemi Qyteti Europian i Sportit dhe më vjen mirë që, në këto dy vite ku ne kemi qenë një Kryeqytet Europian në një nga këto tema kryesore, si rinia dhe sporti, praktikisht po mbyllim vitin me një superlajm. Kështu që, jam vërtet mirënjohës që keni zgjedhur Tiranën! Do të jetë një nga tre kampuset, pas Bruzhit dhe Natolinit, dhe besoj do të jetë kampusi më energjik dhe më entuziast, ku do të kemi edhe shumicën e kërkesave për një qytet si Tirana që është “afër detit, afër mbretit”, një qytet plot jetë,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha gjithashtu se, Shqipëria, me hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë, po vendos një tjetër një gur të çmuar drejt Shqipërisë evropiane.

“Ne duhet të kuptojmë për çfarë është Bashkimi Europian, ne Bashkimin Europian duhet ta kryejmë këtu. Ka qenë insistimi i kryeministrit që, pjesë e konceptit tonë për të bërë një Shqipëri europiane është edhe prania e institucioneve europiane. Pra, edhe këmbëngulja e tij për të pasur Kolegjin e Europës këtu, ka qenë diçka që ne si Bashki e kemi përqafuar dhe mezi presim të kthehet në histori suksesi. Është ajo që thoshte Zhan Mone: Ne nuk po krijojmë një komunitet shtetesh, po krijojmë një komunitet njerëzish. Ndaj, shpresoj që në këtë komunitet njerëzish, që quhet Bashkimi Europian, ky të jetë një gur i çmuar në Tiranën tonë dhe në Shqipërinë europiane,” deklaroi Veliaj.

Tre palët e nënshkruan Memorandumin në prezencë edhe të Komisionerit të Bashkimit Europian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!