Tirana po kalon një moment jo të mirë. Tre ndeshjet fundit bardheblutë kanë marrë vetëm një pikë, ndaj Flamurtarit në transfertë. Më shumë se morën një pikë, mund të thuhet se skuadra e drejtuar nga Ardian Mema la dy. Ai gol në shtesë i Ardit Hoxhajt mbajti në krizë rezultatesh 24 herë kampionët e vendit.
Normalisht edhe pozitat e trajnerit lëkunden pas rezultateve të tilla dhe mbi Memën ka pikëpyetje për vazhdimësinë. Deri më tani klubi ende nuk ka marrë një vendim. Momentalisht fokusi është te beteja ligjore me Flamurtarin. Sot pritet që Tirana të dorëzojë në FSHF kërkesën për marrjen e tre pikëve në tavolinë. Kjo pasi pretendohet se Ariel Muçollari është aktivizuar në ndeshjen me bardheblutë jashtë rregullave.
HOXHALLARI – Mbrojtësi i majtë i Tiranës, një ditë më parë është aktivizuar me ekipin e dytë. Hoxhallari ishte lënë jashtë skuadrës në Vlorë dhe trajneri Mema e pranoi se kishte një dënim administrativ ndaj tij. Presidenti Refik Halili paralajmëroi pas derbit se do ketë lojtarë që do të shkojnë te Tirana B.
Nuk dihet nëse pezullimi për Hoxhallarin përfundon këtu. Me ekipin B dje është aktivizuar edhe Albi Doka, i cili ka dashur të marrë minuta. Vangjeli ka qenë i preferuari i Memës në ndeshjet e fundit dhe mbrojtësi i djathtë e ka parë të udhës të luajë në derbin e djeshëm kundër Partizanit B. /abcnews.al