“Kuqezinjtë” e Milan do të përballen mbrëmjen e kësaj të mërkure, në “Signal Iduna Park”, me “verdhezinjtë” e Borussia Dortmund, në përballjen e vlefshme për raundin e dytë të fazës së grupeve, të UEFA Champions League.
Para sfidës, një koment të shkurtër mbi kundërshtarët e ka bërë dhe tekniku i “djajve” të Milanos, Stefano Pioli, i cili nuk ka nënvlerësuar aspak kundërshtarin, duke kujtuar dhe faktin se Borussia prej 2 vitesh tashmë është e pamposhtur në “shtëpinë” e saj, në Champions.
“Do të jetë patjetër një ndeshje e rëndësishme nga pikëpamja e turneut. Por pas kësaj do të mbeten edhe katër raunde, kështu që të katër skuadrat do të kenë ende shpresa për kualifikim nga grupi.
Ndeshja nuk do të jetë vendimtare, por do të jetë e rëndësishme. Borussia nuk ka humbur në shtëpi në Champions League për gati dy vjet, kështu që ne e dimë se çfarë ndeshje të vështirë kemi përpara”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al