Edhe pse Shqipëria përjetoi një ‘bum’ turistik në sezonin veror, kryeministri Edi Rama thotë se ka ende sfida përpara.
Gjatë një aktiviteti për bilancin e sezonit veror, Rama u shpreh se sigurua mbetet sfidë, sidomos sa i takon mbajtjes nën kontroll të aksidenteve rrugore, megjithëse nënvizoi se janë në ulje.
Sipas Ramës, sfidë është edhe pastërtia, por edhe aksesi në infrastrukturë.
“Cilat janë arsyet se pse ne duhet të jemi të shqetësuar dhe cilat janë sfidat? Janë po te këto pika. Siguria, po filloj prapë nga para. Kemi nevojë, të jemi shumë më nën kontroll sa i përket aksidenteve rrugore. Janë në rënie, por nuk kanë të njëjtën rënie si krimet kundër personit, apo kundër pronës, sepse na duhet të investojmë më shumë, na duhet të fusim më shumë inteligjencën digjitale, monitorimin me kamera, edhe energji për të rritur vetëdijen dhe për të edukuar drejtuesit e automjeteve. Ky është një front që duhet ta kemi shumë mirë parasysh. Pse, sepse këtë vit , duke pasur këtë numër shumë të madh, e kanë parasysh turistët, drejtuesit vendorë, dikasteret, edhe Policia e Shtetit se çfarë stresi ka menaxhimi i trafikut.
Vijmë te pastërtia. Pse duhet të jemi të shqetësuar? Po e marr nga ujërat e zeza në raport me ujërat larës, që janë ujërat e detit, liqenit, lumit, që nuk mund të preken dot nga ujërat e zeza. Vitin e ardhshëm nuk mund të kemi derdhje të ujërave të zeza në det, as në liqenin e Pogradecit, asnjë liqen./abcnews.al