Festivali ndërkombëtar letrar i të rinjve, “Tirana gate 2023” do të çelë nesër (e mërkurë ) siparin në Tiranë, i cili këtë vit do të ketë moto të tijën “Përballë”. Deri në datën 6 tetor, Tirana do të kthehet në një vendngjarje të rëndësishme për librin europian. Në ABC e Mëngjesit, Irena Toci, drejtore e Festivalit si edhe Milena Selimi, drejtore artistike e tij, dhanë më shumë detaje mbi pjesëmarrësit e këtij viti.
Irena Toci, drejtore e Festivalit Tirana Gate tha se qëllimi është të krijojmë një atmosferë të përgjithshme, për të parë se ku është letërsia jonë në raport me vendet e tjera europiane.
‘Ne dhe ata’ do të jetë tema e parë që do të celë siparin e këtij festivali për këtë vit, ndërsa detajet i dha drejtoresha artistike e ‘Tirana Gate’, Milena Selimi.
“Është kënaqësi që mbërritëm në edicionin e tretë. Vështirësia e një aktiviteti kulturor është pikërisht vazhdimësia, sepse fillesat janë gjithmonë shumë të mira. Në këtë edicion jemi më të qëndrueshëm më të hapur, kemi më shumë pjesëmarrje. Ftesa nuk vjen nga organizatorët por edhe një lloj oferte për të qenë pjesë vjen edhe nga jashtë. Këtë vit kemi nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova, vjen Shpëtim Selmani, më pas do të kemi nga Greqia, Gjermania, e cila vjen me një libër për Kosovën. Shprehja e saj ‘Ah moj Kosovë’, tregon se Kosova nuk është ende ku duhet të jetë.
Tema e këtij viti për festivalin është ‘Përballë”, gjendemi përballë njeri tjetrit, vetes, atyre që na duan, apo që nuk na duan dhe bëjnë sikur na duan. Pra, do të kemi disa tema ‘Ne dhe ata’, me këtë do të nisë paneli, ku pjesëmarrës do të jetë një shkrimtar nga Mali i Zi.” u shpreh ajo./abcnews.al