Është një traditë që vjen nga shekujt.
Realizimin e qelesheve, shqiptarët e kanë trashëguar brez pas brezi duke e sjellë po aq të bukur e origjinale deri në ditët e sotme.
Dikur ishte e zakontë të shihje të rinj duke punuar veshje të traditës sot janë të rrallë vajzat dhe djemtë që mbajnë gjallë mjeshtëritë e harruara. Ardian Guni është një prej tyre.
Qeleshen e parë e bëri kur ishte 14 vjeç duke vënë në praktikë mësimet e marra nga gjyshi.
Tregon se puna ka 12 procese. Mjetet e pakta që përdor përveçse janë tradicionale janë dhe shumëvjeçare.
“Procesi i parë i punë nis me anë të këtij harku, është një instrument i vjetër pune. Pas kësaj, është procesi i dytë me këtë instrumentin, e ngjehim materialin. Edhe nga ana tjetër. Këtej e tendosim diku, dhe të arrijë në masë të tillë. Për të realizuar një qeleshe, na nevojitem dy peta të tilla”.
Pasi i është dhënë forma qeleshes mbi të hidhet ujë i ngrohtë dhe sapun. Ky proces zgjat të paktën 20 minuta.
“Është procesi i tjetër i punës, me ujë të ngrohtë dhe sapun”.
Ardiani punon krah të atit. Të dy janë të vetmit në Krujë që bëjnë qeleshe me teknikë të tillë.
“Me këtë lloj teknike që përdorim ne, nuk njoh dikë që ta punojë kështu”.
Përveç qelesheve realizojnë edhe papuçe. Puna për to kalon thuajse në të njëjtat procese.
“Paralel me djalin do punoj papuçe. Është po e njëjta teknikë.
Nuk është një zanat i lehtë por as i pamundur. Çfarë nevojitet për ta ushtruar është dashuria, pa të thonë se produktet nuk kanë cilësi.
“E mira është që të ruhet tradita se është pjesë e kulturës sonë”.
Të huajt jo vetëm që i blejnë qeleshet si një kujtim i bukura nga Shqipëria por interes shfaqin edhe për gjithë punën që bëhet për realizimin e tyre.
“Kushdo që e shohin, janë të impresionuar”.
Pas disa orësh punë qeleshet dhe papuçet janë gati për t’u ekspozuar në dyqanin që atë kanë në pazarin e vjetër të Krujës. Aty gjen veshje të traditës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë.
“Është komplet artizanal, nuk ka asnjë lloj qepjeje”.
Vizitorët mrekullohen nga këto veshje që mbeten pasuri e çmuar e Shqipërisë./abcnews.al