Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë hedhur poshtë projektligjin e liderit të tyre për të financuar përkohësisht qeverinë, duke e bërë pothuajse të sigurt që shërbimet federale do të mbyllen, të paktën pjesërisht, duke filluar nga e diela.
Dhoma e Përfaqësuesve hodhi poshtë, me një votim 232 kundër 198, një masë për të financuar qeverinë për 30 ditë të tjera për të lënë më shumë kohë për negociatat ndërpartiake. Ai projekt-ligj do të kishte frenuar shpenzimet dhe do të vendoste kufizime mbi emigracionin dhe sigurinë kufitare, por kishte pak shanse për të kaluar në Senatin e kontrolluar nga demokratët.
Ndërkohë, Senati, me mbështetjen dypartiake, po avancon një projekt-ligj të ngjashëm, të quajtur “rezolutë e vazhdueshme”, për të vazhduar financimin e qeverisë deri më 17 nëntor.
“Nuk është ende fundi. Unë kam ide të tjera”, tha Kryetari i Dhomës Kevin McCarthy, pasi projektligji që ai kishte promovuar u votua. Ai nuk specifikoi se për çfarë ishin këto “ide”.
Nëse një buxhet nuk miratohet dhe nënshkruhet në ligj nga presidenti Joe Biden para mesnatës së së shtunës, shumë shërbime federale (Parqe Kombëtare, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim, dhe të tjera) do të mbyllen dhe gati 4 milionë punonjës federalë nuk do të marrin pagën e tyre. Sekretarja e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi më herët se një “mbyllje” e qeverisë do të minonte përparimin ekonomik që SHBA ka bërë duke ngrirë programet për bizneset e vogla dhe duke vonuar projektet e mëdha të infrastrukturës.
Presidenti Biden tha se një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të rënda për forcat e armatosura.
“Ne jemi në mes të një lufte civile republikane që ka vazhduar me muaj dhe tani kërcënon një mbyllje katastrofike të qeverisë,” tha udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve Hakeem Jeffries .
Shumë republikanë kanë kërcënuar se do ta largojnë McCarthy-n si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve nëse miratohet një projekt-ligj i mbështetur nga demokratët. Por kjo është e pashmangshme, pasi pas Parlamentit projektligjet duhet të miratohen edhe nga Senati, ku demokratët kanë shumicën (51-49). Republikanët e tjerë shprehin pakënaqësi me qëndrimin e kolegëve të tyre që vazhdojnë të bllokojnë procesin për të ecur përpara.