Lista Serbe ka reaguar për kontrollet e policisë në koordinim me KFOR-in në veri mëngjesin e së premtes, duke thënë se Kurti po shfrytëzon ngjarjen në Banjskë për të justifikuar aktivitetet anti-serbe. Ata kritikojnë gjithashtu edhe anëtarët e EULEX-it se nuk kanë ndërhyrë në atë që e quajnë ‘keqtrajtim’ të serbëve.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, njësitet speciale të Kurtit, të cilat janë të pranishme ilegalisht në veri të Kosovës hynë brutalisht në Qendrën Spitalore Klinike në Mitrovicë dhe me atë rast rrënuan disa nga dhomat me forcë dhe me brutalitet të tepruar ka penguar punën e punonjësve shëndetësorë dhe ka frikësuar pacientët që po i nënshtrohen trajtimit spitalor në këtë institucion.
Paralelisht me këtë bastisje, një bastisje brutale është bërë edhe në disa objekte private në veri të Kosovës dhe ne ende jemi duke mbledhur të dhëna për këto bastisje. Gjatë këtij aksioni brutal të forcave speciale të Kurtit është bllokuar rruga që të çon në kopshtin e fëmijëve, përkatësisht në institucionin parashkollor “Danica Jaramaz” dhe shkollën fillore “Sveti Sava”. Mësuesit dhe edukatorët nuk mund të shkonin në vendet e tyre të punës, fëmijët ishin të tmerruar dhe prindërit e shqetësuar nuk lejoheshin t’i çonin fëmijët e tyre në kopsht ose në klasa”.
Është e qartë se regjimi i Kurtit tani po i shfrytëzon ngjarjet tragjike nga Banjska për të justifikuar të gjitha aktivitetet antiserbe në Kosovë dhe Metohi, si dhe për të vazhduar keqtrajtimin e mëtejshëm të qytetarëve tanë. Duhet të theksohet se anëtarët e EULEX-it i kanë ndjekur të gjitha këto inkursione brutale nga një distancë prej dhjetëra metrash, absolutisht të painteresuar për të parandaluar keqtrajtimin e popullit serb apo për t’u përfshirë aktivisht dhe për të parandaluar veprimet ilegale të ndjekësve të Kurtit. Gjatë kësaj sjelljeje të paqytetëruar nuk kishte asnjë pjesëtar të KFOR-it.”, thuhet në reagim./abcnews.al