Një inskenim i denjë për filma. Kështu mund të thuhet për rastin e ditës së premte, ku një 13-vjeçare përgatiti “rrëmbimin” e saj vetëm sepse prindërit nuk i kishin dhënë leje për të shkuar tek ditëlindja e një shoqeje.
Mjeku psikiatër Neli Demi ishte i ftuar këtë të shtunë në studion e ABC News për të folur rreth kësaj çështje. Ai tha se këto lloj problematikash të adoleshentëve lidhen me kontekstin familjar. Sipas tij, duhet analizuar e tërë historia e vajzës, pasi vetëm refuzimi për një ditëlindje nuk do të sillte një reagim të tillë.
“Nga përvoja ime apo dhe literatura e konsumuar për sa i përket shkaqeve dhe problematikave gjatë moshës së adoleshencës dhe fëmijërisë ka një truall problematik brenda kontekstit familjar. Nuk do fokusohesha në rastin konkret pasi duhet të kemi më shumë informacion. Gjithmonë ekziston një tendencë për të analizuar rastin duke u kufizuar vetëm në momentin e ngjarje sapo disa orë përreth tij. Unë mendoj që ka shumë më tepër histori një momenti i tillë. Është një marrëdhënie e tërë që duhet analizuar. Nuk mendoj se vetëm refuzimi për ditëlindjen do të sillte një reagim të tillë. Mesa kuptoj ka pasur një parapërgatitje. Është një gjë e llogaritur mirë dhe që mendoj ka histori shumë më të hershme sesa thjesht momenti i refuzimit për të shkuar në ditëlindje”, tha Neli Demi.
Por të përfshirë në këtë histori rrëmbimi ishin dhe “aktorë” të tjerë, shokë dhe shoqe të vajzës. Sipas Demit, adoleshentët karakterizohen nga përpjekja për t’u identifikuar me miqtë dhe për t’u shkëputur dalëngadalë nga familja.
“Një gjë që karakterizon adoleshencën është përpjekja për t’u identifikuar me miqtë dhe për t’u shkëputur nga identifikimi me familjen. Këtë mund ta shpjegojmë si një përpjekje e adoleshentit për t’u shkëputur dalëngadalë nga familja. Gjë që tingëllon e keqe por është normale sepse çfarë do ndodhë më vonë në jetën e këtij njeriu është se ky person do i bëjë ballë vetë sfidave të jetës. Një shkëputje e tillë është normale dhe duhet menaxhuar në mënyrën e duhur nga ana e prindërve. Deri në moshën 18 vjeçare fëmijët jetojnë ligjërisht me prindërit. Është një varësi totale financiare, por edhe marrjes së vendimeve për adoleshentin. Adoleshenca është një periudhë e cila dalëngadalë e përgatit individin për të përgatitur veten. Adoleshenca është një periudhë ku ka një furtunë të vërtetë zhvillimit të individit. Është zhvillim, fizik, hormonal, seksual. Fillojnë interesat për seksin e kundërt. Unë e përdor zakonisht në bisedat e mia me kolegët, adoleshencën e quaj si një periudhë patologji fiziologjike. Është një patologji normale. Adoleshenti ka nevojë për një çikë rebelim që të shkëputet disi nga varësia e plotë. I takon prindërit ta menaxhojë këtë. Është shumë e vështirë”, tha Demi./abcnews.al