“Talentin tim e spikati mësuesja e fizikës”, rrëfehet Rafael Hoxhaj: Errësirën ma ktheu në dritë vajza ime Besa

schedule09:51 - 27 Shtator, 2023

schedule 09:51 - 27 Shtator, 2023

Gjatë rrëfimit në “Pas Mesnate” në Abc News, aktori Rafael Hoxhaj ka zbuluar herën e parë kur u ngjit në skenë dhe personat që gjithmonë besuan tek ai dhe i dhanë kurajo.

“Për herë të parë jam ngjitur në skenë në Shkodër, një shfaqje e cila më pas erdhi dhe në skenë në Tiranë. Kam qenë nxënës i Altin Bashës i cili ishte mik me Stefan Çapalikun, i shihja kur vinin tek klasa së bashku me Gjergj Prevazin dhe gjithmonë mendoja treshja fantastike. Ata më mbështetën dhe besuan tek unë.

“Zhurma e Kohës” është shfaqja e parë e realizuar nga unë si regjisor, skenarist dhe aktor, në bashkëpunim me Bujar Hoxhën. Kjo është një shfaqje që do të jem gjithmonë krenar që e kam bërë, jo për faktin se ishte një shfaqje e mirë por sepse sfidova veten.

Teatri është një skenë për të treguar diçka, skena është e shenjtë, për ata personat që vijnë për të parë ti ke përgjegjësi për t’i dhënë një mesazh publikut që ka paguar biletën. Ka shumë shfaqje që realizohen për të fituar para dhe kjo si aktor më trishton.

Mësuesja ime e fizikës më ka futur në rrugën e aktrimit. Ajo pa një dritë tek unë dhe kishte besim, luftoi shumë për dhe pse nuk isha nxënës i mirë. Gjithashtu një djalë nga Shkodra kishte besim tek unë. Ai më ka futur për herë të parë në skenën e teatrit të Shkodrës dhe pse isha amator dhe më ka dërguar në Milano”, u shpreh Hoxhaj.

Më tej aktori, tregoi disa detaje nga jeta e tij personale dhe momentet e errëta të cilat u kthyen në dritë nga vajza e tij.

“Kam pasur shumë momente të vështira në jetë, errësira që kam pasur në jetë është kthyer në dritë nga vajza ime të cilën e quajnë Besa. Nusja ime tha që emrin do ta ketë Besa sepse edhe ti duhet të kesh gjithmonë besim në gjërat dhe zgjedhjet e tua. E gjithë jeta ime është ndërtuar në fjalën “besim” siç ka qenë edhe emri i babait tim, i cili nuk jeton më.

Çdo shfaqje ia dedikoj babait tim. Ai është arsyeja që jam ngjitu në skenë dhe mbaj detajet e tij. Tek shfaqja “5 Ditë Mbret” unë kam luajtur me jelekun e tij në skenë, tek “Vojcek” nuk kam asnjë detaj të tij sepse kam reflektuar me veten se nuk është e rëndësishme gjithmonë gjëja fizike ta mbaj ose jo. Kam mësuar se njeriu rritet dhe disa gjëra duhet ti mbash gjithmonë në zemër” tha Hoxhaj.