Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun Xhelal Sveçla dhe ka shprehur ngushëllimet për zyrtarin e policisë që ka humbur jetën dhe i ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve. Svelça e ka informuar ministrin mbi situatën dhe masat e marra nga policia.
Efektivi i policisë, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë ndërsa një tjetër u plagos nga të shtënat me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ngjarja e rëndë ndodhi pasi patrulla e policisë kishte shkuar në fshatin Banjska të Leposaviqit pas marrjes së një njoftimi se dy kamionë pa targa kishin bllokuar rrugën.
Drejtuesit e lartë të shtetit kanë dënuar sulmin ndërsa e kanë cilësuar si një sulm të dirigjuar nga Beogradi. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se vrasja është një këmbanë alarmi për rajonin dhe se ndërkombëtarët duhet të ulin me forcë Kosovën dhe Serbinë në tryezën e bisedimeve./abcnews.al