“Futbolli në Itali është si një sëmundje e mrekullueshme, sepse njerëzit janë të infektuar nga kjo dashuri për sportin nga fëmijëria deri në vitet e fundit të jetës”. Këto janë fjalët e para të Dries Mertens, në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të Serie A. Sulmuesi belg është i dashuruar pas qytetit të Napolit dhe ndihet mirë, pasi njerëzit e respektojnë për faktin që jep gjithçka në fushë për ekipin e tyre.
Mertens tregon atë që Italia ka ndryshe nga Belgjika: “Është një zonjë që jeton në katin sipër meje, mendoj se është 75 vjeçe dhe çdo mëngjes më thotë: ‘Ke luajtur mirë, bravo djalosh”. Ose nëse unë do të luaja keq, ajo do të më jepte një shuplakë dhe të më thoshte se mund të bëja më mirë. Kjo nuk ndodh në Belgjikë!”.
GARA PËR TITULL – Këtë fundjavë Napoli ndeshet me Torinon dhe Mertens ka kujtime të bukura kundër tyre, pasi u ka shënuar katër gola në një ndeshje të vetme. Në lidhje me garën për titulli, Mertens thotë: “Gara për ‘Scudetton’ është më e hapur këtë sezon, sepse Juventusi po has vështirësi dhe nuk po fiton aq lehtë si më parë. Sidoqoftë ata janë duke marrë pikë, po ashtu edhe Interi. Ne nuk duhet të lëshojmë asnjë pikë tani, duhet të luftojmë deri në fund”…
REKORDI – Mertens ka shënuar 114 gola me fanellën e Napolit dhe është vetëm 1 gol larg legjendarit Diego Armando Maradona. Gjithashtu po i afrohet rekordit të klubit, që mbahet nga Marek Hamsik me 121 gola. “Do doja shumë ta thyeja rekordin e Hamsik. Ndoshta kam bërë gabim që i kam dhuruar kaq shumë asiste këto vitet e fundit. Nëse e thyej rekordin e tij, sigurisht që do e telefonoj. Kush do kishte thënë para shtatë vitesh kur erdha, që do të bëhesha shënuesi më i mirë në historinë e Napolit? Është e mrekullueshme”, deklaron Mertens./abcnews.al