Britania do të kërkojë një shtyrje të Breksit nëse nuk do të ketë një marrëveshje me BE-në.
Kështu thotë një dokument që i është dorëzuar gjykatës, me qëllim që ta detyrojë kryeministrin Xhonson të kërkojë një tjetër datë për të dalë nga BE-ja, edhe pse ai insiston për 31 tetorin.
Kryeministri britanik Boris Xhonson do t’i dërgojë një letër BE-së për të kërkuar një shtyrje të Breksit nëse mes palëve nuk arrihet një marrëveshje deri më 19 tetor.
Kështu thuhet në një paketë dokumentesh të hartuar nga aktivistët pro-qëndrimit në BE dhe opozita parlamentare, që i janë dorëzuar një gjykate në Skoci.
Aktivistët dhe opozita kërkojnë një vendim nga gjykata që e detyron Xhonson të zbatojë ligjin e miratuar pak kohë më parë në Parlament.
Kërkesa në fjalë bie ndesh me prirjet e kreut të qeverisë, që disa herë ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga BE-ja më 31 tetor, me apo pa marrëveshje dhe se nuk do të ketë kurrë shtyrje.
Bisedimet mes palëve, që synojnë të zgjidhin çështjen e kufirit irlandez, do të rifillojnë të hënën, me Britaninë që i bën thirrje BE-së të bashkëpunojë për një akord të ri.
Një zyrtar i Dauning Strit ka deklaruar në kushte anonimati se qeveria do ta respektojë vendimin e gjykatës, që vetëm sa imponon një detyrë të vogël dhe që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.
“Por ky akt nuk e ndalon dot qeverinë të bëjë gjëra të tjera që nuk kërkojnë shtyrje”, ka thënë burimi.
Çdo shtyrje e procesit të Breksit duhet të miratohet nga të gjitha 27 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian.
Zoti Xhonson ka deklaruar se do të preferonte më mirë të vdiste sesa të kërkonte një shtyrje të re. Edhe të premten, përmes një postimi në Twitter, ai u shpreh:
“Me marrëveshje, ose pa marrëveshje. Por jo shtyrje”./ABC News Albania 24/7