Skënderbe i copëtuar, Daja: Ju tregoj çfarë na ka penalizuar!

schedule17:06 - 4 Tetor, 2019

schedule 17:06 - 4 Tetor, 2019

Skënderbeu pret nesër Luftëtarin në Korçë, ndërkohë që para mediave sot ka dalë trajneri Ilir Daja. Ai tregon një nga problemet e skuadrës së tij, që lidhet me motivimin. “Në këto gjashtë javë kemi pasur oscilacione. Kemi bërë mirë me ekipet e forta. U mundëm me Tiranën, por nuk luajtëm keq. Na ka munguar motivimi në ato ndeshjet që nuk quhen te forta. Kemi folur dhe kemi marrë përgjegjësitë, duke nisur nga unë. Shpresoj të kemi një ekip që veç lëvizshmërisë të zbatojnë edhe detyrat”, tha fillimisht Daja.

FORMACIONI – “Filozofia jonë është që të sulmojmë dhe mbrojmë të gjithë. Nuk kemi dy qendërmbrojtësit, Turtullin për dëmtim dhe Pollozhanin për shkak kartonësh. Do mundohemi t’i zëvendësojmë, do ketë lojtarë që nuk do luajnë në pozicionin e tyre. Nuk kemi vendosur për formacionin, edhe pse një pjesë e mirë e dinë”, u shpreh Daja i pyetur për rreshtimin e skuadrës.

ECURIA – Korçarët kanë humbur dy ndeshjet e fundit, kundër Vllaznisë dhe Devollit: “Skënderbeu ka nëntë pikë, ekipi i parë 11. Vetëm dy pikë diferencë. Nuk është se kemi bërë mirë, por as keq jo. Me Vllazninë u mundëm, duke shkaktuar dy penallti. Nuk duhej. Me Devollin u dhamë mundësi të rinjve, që të merrnim informacion për gjendjen e tyre. Kemi pësuar tre humbje me shumë gola dhe tre fitore. Më mirë të rrezikosh gjithçka për gjithçka, se tre barazime”.

MËNYRA E LOJËS – Daja paralajmëron se nga tani mund të shihet në fushë edhe një Skënder i kujdesshëm: “Ne drejtojmë një ekip me emër të madh, që i ka dhënë tonin futbollit shqiptar në këto 10 vite. Nuk mund të luajmë në mbrojtje dhe kemi lënë hapësira. Duke parë pësimin e golave, duhet të mësohemi edhe me një Skënderbe që do luajë prapa. Kjo derisa të rregullojmë manovrën në mbrojtje. Ky është grupi, kemi lojtarë të rinj që veshin një fanellë të rëndë. Më shqetëson më shumë se duhet të jenë në nivel më të mirë lojtarët me eksperiencë. Mungesa e Muzakës ka bërë që të kemi një boshllëk të madh. Ai është kapiteni dhe prezenca e tij do sillte një tjetër Skënderbe”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!