Thellimi i hetimit ndaj Presidentit Biden në Kongres dhe beteja për buxhetin

schedule16:01 - 18 Shtator, 2023

schedule 16:01 - 18 Shtator, 2023

Presidenti Joe Biden thotë se ai “është i përqendruar në gjërat për të cilat ka nevojë populli amerikan”, jo në teatrin politik të Dhomës së Përfaqësuesve, e cila ka hapur hetime, për të shqyrtuar, nëse ka apo jo prova, për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit lidhur me marrëveshjet financiare të djalit të tij Hunter Biden me kompani të huaja. Demokratët i quajnë hetimet një përpjekje për të larguar vëmendjen nga gjërat e rëndësishme. Hetimet ndodhin në një kohë kur ligjvënësit duhet të arrijnë një marrëveshje me Presidentin Biden për të mbajtur qeverinë të hapur pas 30 shtatorit.

Presidenti amerikan Joe Biden shkoi në kishë, në shtetin e tij, Delauer, vetëm disa ditë pasi republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve hapën një hetim ndaj tij, duke përmendur dyshimet për korrupsion. Shtëpia e Bardhë i quan hetimet goditje politike.

“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë zbuluar fakte serioze dhe të besueshme për shkelje nga Presidenti Biden. Të marra së bashku, këto akuza japin një pasqyrë të një kulture korrupsioni”, tha javën e kaluar Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

Ai theksoi se akuzat nxjerrin në pah çështjet si “shpërdorim detyre, pengim të drejtësisë dhe korrupsion”, të cilat “kërkojnë hetime të mëtejshme nga Dhoma e Përfaqësuesve”.

Demokratët thonë se ky është një nga rastet më të këqija të një loje politike me motive partiake.

“Shtëpia e Bardhë ka bashkëpunuar dhe besoj se do të vazhdojë të bashkëpunojë, sepse nuk ka asgjë për të fshehur. Nuk ka fakte që sugjerojnë se Presidenti Biden është përfshirë në ndonjë shkelje të ligjit dhe vepra që do të çonin në ngritjen e akuzave për shkarkim. Ky është një hetim i paligjshëm për ngritje të akuzave për shkarkimin e tij”, tha udhëheqësi i pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries.

Republikanët thonë se duan më shumë informacion në lidhje me akuzat.

“Faktet janë kudo. Ka mesazhe sms, emaile, dëshmitarë, sinjalizues, takime dhe telefonata. Kemi dëshmi për darka dhe nuk mund të thuhet se këto nuk do të çojnë në zbulime të veprave të tjera”, thotë ligjvënësja republikane Nancy Mace.

Ish-presidenti Donald Trump, kandidat republikan për president, i cili përballet vetë me më shumë se 40 akuza penale në disa çështje gjyqësore, thotë se ai mbështet mbylljen e qeverisë, nëse republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk arrijnë atë që ai e quan “një marrëveshje të drejtë” për një buxhet afatshkurtër. Ai nuk dha hollësi mbi atë se çfarë do të duhet të përmbante një “marrëveshje e drejtë” për buxhetin.

E ardhmja e Presidentit Biden dhe ajo e udhëheqësit republikan McCarthy janë të ndërthurura në këtë thellim të hetimit të Kongresit ndaj Presidentit. Edhe nëse Dhoma e Përfaqësuesve miraton ngritjen e akuzave për shkarkimin e Presidentit, ka pak të ngjarë që Senati i kontrolluar nga demokratët, të bjerë dakord për zhvillimin e gjyqit ndaj tij.

Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve ka vetëm disa ditë pune për të miratuar një buxhet të përkohshëm për financimin e qeverisë për të shmangur mbylljen e saj.

Disa republikanë konservatorë po kërkojnë shkurtime më të mëdha të shpenzimeve qeveritare se sa niveli për të cilin ligjvënësi McCarthy kishte rënë dakord në kuadër të një marrëveshje buxhetore me Presidentin Biden në fillim të këtij viti./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!